Sherifi merr mbështetje të madhe nga qytetarët e Kaçanikut
Kandidati për deputet nga NISMA Socialdemokrate, Bilall Sherifi, që njëherit është edhe sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, ka qëndruar sonte në komunën e Kaçanikut, ku është takuar me mbështetës të Nismës. Bashkë me Sherifin në këto takime me qytetarë prezent ishin edhe kandidatët për deputetë të Nismës nga kjo komunë, Agim Çaka dhe Hizri Vishi.
Këto takime Sherifi i ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, të cilin e ka përcjellë edhe me disa fotografi.
“Projektit Bashkë për Shtetin dhe kandidatit për kryeministër Fatmir Limaj mbështetje të madhe i dha edhe fshati Dubravë i komunës së Kaçanikut”, ka shkruar kandidati për deputet nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Bilall Sherifi.
Ndryshe, ky koalicion sot gjatë ditës ka paralajmëruar edhe për tubimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit, tubim të cilin do ta mbajnë nesër duke filluar nga ora 17:30 ne Shatërvan të Prizrenit./FaktePlus/