KQZ porosit taksi për ditën e zgjedhjeve në Kosovë
Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që drejtohet nga Valdete Daka, ka vendosur që ditën e zgjedhjeve, më 6 tetor, të shëtisë me taksi.
Ky institucion, ka lidhur kontratë me kompaninë e taksive “Victory”, që ditën e diel të kryej punë me vetura të kësaj kompanie, raporton FaktePus.
Në njoftimin që është publikuar në KRPP, tregohet që tenderi mban emrin “Shërbime taksie për Ditën e Zgjedhjeve”.
Bëhet e ditur se në garë për këtë tender kanë qenë tri kompani.
E KQZ-ja besimin për këtë punë ia ka dhënë kompanisë “Victory”, të cilën do ta paguaj fiks 998 euro.
Kompania “Victory” dhe KQZ këtë kontratë e kanë nënshkruar më 26.09.2019.
Kujtojmë se ashtu siç ka vendosur KQZ, fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit ka filluar zyrtarisht më 25 shtator, dhe do të zgjasë 10 ditë, deri më 4 tetor.
Në këto zgjedhje garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.
Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sivjetme ka arritur gati në 2 milionë, saktësisht janë 1,937,868 qytetarë me të drejtë vote./FaktePlus