Fatmir Limaj të rinjve: Mos hiqni dorë nga Kosova
Nisma Socialdemokrate aktivitetin politik elektoral gjatë ditës së sotme e zhvilloi në Prishtinë, me një tubim në Sallën e Kuqe të kryeqytetit.
Të rinj simpatizantë dhe mbështetës të Nismës u mblodhën për t’i dhënë përkrahjen e tyre këtij subjekti politik.
Aty u thanë fjalë të mëdha për kreun e kësaj partie, njëherit edhe kandidat për kryeministër Fatmir Limaj.
Sknder Reçica tha se Limaj ofron zgjidhje për problemet e brendshme por edhe me fqinjtë e Kosovës, përderisa Kryetari i Rinisë së Nismës Xhemajl Azizi tha se kreu i Nismës është i pakontestueshëm, i pakrahasueshëm dhe i pamposhtur.
Vetë pretendenti për kreun e qeverisë së ardhshme tha se asnjëherë nuk hoqi dorë nga Kosova çka kërkoi edhe nga të rinjtë e vendit, përderisa kujtoi të gjithë ata që sakrifikuan jetën, punën, familjet për t’ia sjellë lirinë Kosovës.
“Mosha mesatare e gjithë dëshmorëve të Kosovës nuk e kalon moshën 22 vjeçare, të cilët të vetëdijshëm në rininë e tyre kanë bërë sakrificat më të madhe, për t’ia mundësuar atdheut dhe kombit të tyre lirinë e pavarësinë e shtetit”.
“Djem e vajza edhe ne kemi qenë sikur ju një kohë kur ka pas propaganda në vitet 90’ta se duhet ta lëmë Kosovën, se s’ka asgjë prej këtij vendi”.
“Ka pas një propagandë të tmerrshme për disa vjet ndaj rinisë së Kosovës për ta lëshuar vendin. Ka pasur të tillë që kanë rënë viktima e të tillë që janë detyruar të largohen. Ajo çka po shohim sot po më përngjan në atë kohë. Por si është e mundur që ta lëmë vendin tonë? Çfarë kuptimi ka gjithë ajo sakrificë për qindra vjet që është bëre për liri nëse nuk e kemi rininë këtu, nëse ju s’i përvilni duart e me marrë e me forcu e ndërtu këtë shtet”.
“Mos hiqni dorë nga Kosova pavarësisht sakrificave ky vend do të bëhet Kosova, do të bëhet ashtu siç kanë dashur ata që kanë dhënë jetën dhe ashtu siç i keni të gjithë ju ëndrrat e juaja”.
“Natyrisht që ka shumë telashe e probleme dhe ka shumë vështirësi – ne jemi këtu për t’i zgjidhur problemet për t’i tejkaluar padrejtësitë, prandaj keni mundësi për të përzgjedhur për të ndryshuar”.