Haradinaj thotë nuk bënë koalicion paszgjedhor me ata që heqin taksën
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, njëherit kandidat i koalicionit AAK-PSD, ndërsa ka folur për taksën ka thënë se partitë politike të cilat po bëjnë fushatë duke u thirrur në reciprocitet po gabojnë.
Sipas tij, reciprociteti bëhet në mes të dy vendeve të cilat kanë marrëdhënie të mira.
“Nëse këta duan të fshihen prapa miqësisë dhe obligimeve që kemi ndaj aleatëve, ja kanë nis shumë herët të lëshojnë pe, hala pa u zgjedh kanë filluar me dhënë tregun e Kosovës”, ka thënë Haradinaj duke shtuar se në këtë mënyrë përfundohet pa njohje.
“Vetëvendosje shumë më keq se tjerët ka bërë lëshim enorm, kanë dëshpëruar edhe bazën e tyre. Ka në VV që dinë me bo analizën. Bën reciprocitet me Shqipërinë që kem marrëdhënie të mira. Nëse e jep tregun me reciprocitet, çka jep më pastaj. Është kalkulim i shpejt që do të na sjell probleme. Taksa heket me njohje, kur ki njohje atëherë ndodh reciprociteti”, ka thënë Haradiaj në Rubikon.
Ai ka thënë se partneri i ardhshëm i qeverisë duhet ta ketë të qartë se taksën nuk e heqin.
“Pse me qeverisë me dikë që ka mem çu në një rrugë qorre. Edhe nëse i fitoj zgjedhjet nesër, më duhet një partner dhe nëse partneri nuk merr obligim që taksa mbetet deri në njohje, nuk bashkëqeverisi me të. Nuk marrim pjesë në qeveri që nuk ka qartësi për pozicione të interesit nacional”, ka deklaruar ai.