Haradinaj: LDK dikur kishte vizion për shtet, tani vetëm për pushtet dhe interesa personale
I nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë sonte në tubimin e koalicionit AAK-PSD me qytetarët e Vushtrrisë. Ai ka biseduar me ta edhe për LDK-në aktuale dhe atë të dikurshme, të presidentit Ibrahim Rugova.
“Nga LDK i dëgjojmë shpesh duke thënë që e çkapim shtetin. LDK është një parti institucionaliste, unë në kohën e presidentit Rugova kam bashkëqeverisë me ta. Mirëpo, e shoh që LDK ka ra në ato ujërat e interesave të pushtetit”, ka thënë Haradinaj.
“Nuk e shoh më atë vizionin për shtet, një vizion që ka dominuar dikur te një pjesë e elitës, e intelektualëve, e akademikëve të LDK-së. Tani kemi të bëjmë me interesa direkt për pushtet dhe që i thjeshtësojnë krejtësisht qëndrimet e tyre politike me këtë lojën e pushtetit”, ka shtuar Haradinaj.