Haradinaj pritet nga të rinjtë gjakovarë: Ia dhanë mbështetjen vizionit për shtet 100%
I nominuari për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, sot ka vizituar Gjakovën, ku ka bashkëbiseduar me të rinjtë e kësaj komune. Haradinaj ka thënë rinia e Gjakovës e ka përkrahur vizionin e tij, të shpalosur para tyre.
“Rinia e Gjakovës 100% në përkrahje të vizionit tonë për shtetin! Kujdesi për rininë është garancë për ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe me rritje ekonomike. Frymëzues bashkëbisedimi i sotëm me rininë e mrekullueshme të Gjakovës”, ka shkuar Haradinaj në Facebook, ku ka publikuar edhe një video nga bashkëbisedimi.
Haradinaj ka theksuar se rinia e Kosovës është forcë transformuese e shoqërisë.
“Rinia jonë është forcë transformuese e shoqërisë dhe përket në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Epoka e ndërlidhjes digjitalizuese dhe teknologjisë së avancuar informative, kërkon edukim konform trendeve bashkëkohore dhe përshtatje të programeve studimore ekonomisë së vendit”, ka shkruar ai.
Ai ka treguar se në vizioin e koalicionit AAK-PSD është përfshirë edhe mësimi dual, fondi për punësim, si dhe masa të tjera që lehtësojnë jetë e tyre.
“Në vizionin tonë 100% Kosovë, e kemi përfshi mësimin dual, fondin për punësim, kompensimin e 50% të pagës për çdo punësim fillestar në prodhim dhe një varg masash reformuese që garantojnë punë dhe perspektivë për rininë, për ta ndërtuar jetën dhe karrierën në vend”, ka shkruar Haradinaj.