Edhe IKD reagon ndaj KQZ-së: Po shkel Ligjin për Barazi Gjinore
Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka reaguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili thuhet se po vazhdon të shkelë garancitë kushtetuese dhe ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
Tashmë kur zgjedhjet e 6 tetorit po ofrohen dhe listat për kandidatë për deputetë janë dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), subjektet politike janë siguruar që të përmbushin kuotën prej 30% të përfaqësimit të grave në këto lista, duke respektuar kështu Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Por, jo edhe Ligjin për Barazi Gjinore, i cili obligon organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore si dhe institucionet e tjera publike që të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor prej 50 për qind për secilën gjini përfshirë edhe në vendimmarrje, shkruan FaktePlus.
Listat e partive mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese
Ditë më parë ishte edhe institucioni i Avokatit të Popullit që ngriti këtë shqetësim. Madje sipas Avokatit të Popullit, KQZ-ja sipas mandatit që ka, i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2019, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
Kështu, rreth shkeljes së parimeve të përfaqësimit të përcaktuara në Ligjin për Barazi Gjinore nga KQZ dhe partitë politike, IKD thotë se ka reaguar publikisht përmes produkteve të saj, qysh në zgjedhjet nacionale të qershorit 2017.
“Si KQZ ashtu dhe partitë politike kanë injoruar thirrjet e IKD-së për zbatimin e obligimit ligjor, që përfaqësimi gjinor të promovohet në kuotën prej 50%, ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Barazi Gjinore. Të premten, Avokati i Popullit rreth shqetësimeve të ngritura nga IKD qysh prej zgjedhjeve nacionale të vitit 2017, ka njoftuar se ka parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjegjësisht në Departamentin e Përgjithshëm, padi me kërkesë për masë të përkohshme përkitazi me shkeljen nga ana e KQZ-së të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
Tutje IKD thekson se përkrahë fuqishëm rolin proaktiv të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe reagimin për ngritjen e padisë kundër KQZ-së, që ka për qëllim promovimin e vlerave dhe parimeve në trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
IKD po ashtu përkrahë kërkesën e Avokatit të Popullit për caktimin e masës së përkohshme në procesin zgjedhor, mbi bazën e argumenteve që ka parashtruar në padinë ndaj KQZ-së, si palë e paditur, e cila do të duhej t’i rishikonte listat e partive politike, në mënyrë që sigurohet ligjshmëria e procesit të zgjedhjeve në Kosovë, dhe legjitimiteti i përfaqësuesve të popullit që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit 2019.