Osmani nga Gjakova: Do t’ia rikthejë shpresën rinisë
Kandidatja për Kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur tubim me simpatizantë të kësaj partie në Gjakovë.
Osmani nga Gjakova u ka dërguar mesazh oponentëve politikë se ata të cilët e kanë sjellur krimin dhe korrupsionin do t’i largojë nga institucionet.
Ajo po ashtu ka folur edhe për ikjen e të rinjve nga Kosova e që fatkeqësisht e ka prekur edhe qytetin e Gjakovës.
“Për fat të keq edhe Gjakova si çdo vend në Kosovë është prekur nga plaga e madhe që e quaj ikja e dytë. Prindërit gjakovarë po përballen me ikjen e bijve të tyre”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se me LDK-në në qeveri, në Gjakovë do të sjellin investitorë të shumtë.
“T’ia kthejmë Gjakovës shkëlqimin që e ka pasur dikur, do të sjellim investitorë që t’ia kthejmë namin e dikurshëm”, ka thënë ajo.
Osmani ka premtuar se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet plotësisht.
“Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet plotësisht, Gjakova dhe mbarë Kosova do ta përjetojnë çlirimin nga ata që nuk i dhanë asgjë pos të keqës”, ka thënë kandidatja për Kryeministre.