Vjosa Osmani: PAN-istat s’kanë më çka kërkojnë në Dragash
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, tha gjatë një tubimi në Dragash se programi i saj qeverisës parasheh jetë të përballueshme financiarisht për nënat dhe baballarët.
“Ne dëshirojmë që për rininë e mrekullueshme të Dragashit dhe të krejt Kosovës të krijojmë kushte që ata të punojnë në Kosovë dhe të krenohen me Kosovën e tyre. Ne dëshirojmë të krijojmë kushte ku vajzat dhe djemtë më të mirë të këtij vendi do të jenë stama jonë e krenarisë”.
“Opoja e di shumë mirë se ditë të mira po na presin pas 6 tetorit, sepse ne e kemi vendosur familjen në qendër të programin tona. Ne dëshirojmë që jeta për nënat dhe baballarët tanë të jetë e përballueshme financiarisht”.
“Dragash i dashur, Opojë e bukur, me çikat më të mira, me djem, burra dhe gra të mrekullueshme, do t’i jepni bukuri fitores së madhe të LDK-së më 6 tetor. Ata që do të na votojnë janë edhe shumë përtej kësaj salle. Kur po e shoh këtë përkrahje qytetare, po më duket e panevojshme të merrem me kundërshtarët e mi politikë”, shtoi Osmani duke shprehur besimin që “PAN-istat s’kanë më çka kërkojnë në Dragash”.
Po ashtu, ajo tha se merita kryesore pse në këtë rajon nuk ka pasur gjakmarrje u takon grave opojare.
“Ishin gratë e Opojës ato që e mbajtën familjen bashkë, ishin gratë e Opojës ato që i mbajtën shqiptarët bashkë. Nuk lejuan gjakmarrje. Ata që thonë se gruaja shqiptare nuk ka guxim, përgjigjen e marrin në Opojë”.
Osmani, si pothuajse në çdo tubim, u zotua se LDK-ja kurrë nuk do të qeverisë me parti që ia kanë ngulur thikën pas shpine.
“Vetëm kush e ka përnjëmend luftën kundër krimit dhe korrupsionit mund të bëhet partneri ynë qeverisës. Ju zotohem se ju kurrë më s’keni me u turpërue me liderët tuaj”.
“Dragashi është komuna më e harruar e Kosovës që meriton më shumë respekt për djersën dhe punën e secilit qytetar. Nuk do të lejomë që grantet e subvencionet t’i marrin të korruptuarit, do të garantojmë që ato grante t’i marrim bujqit dhe blegtorët e vyeshëm të kësaj ane”.
Në këtë manifestim foli edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se krejt “çka ju japin oponentët tanë politikë merrni, sepse janë taksat tuaja, por vetëm votën mos ua jepni”. /FaktePlus