Veseli premton rritje të pensioneve për 80%
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli ka premtuar se do t’u lehtësoj jetën pensionistëve të Kosovës.
Veseli ka thënë se do t’i rris pensionet deri në 80 për qind dhe kontributdhënësit me përvojë pune nën 15 vjeçare do të kalojnë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës.
“Është përgjegjësi morale që të tregojmë mirënjohje ndaj të moshuarve për kontributin e dhënë dhe të kujdesemi që ata të kenë pleqëri sa më të rehatshme. Ne e kemi inkurajuar gjithmonë solidaritetin mes gjeneratave dhe shtetit do t’i japim rol shumë më aktiv për t’u kujdesur për të gjithë të moshuarit. Para përfaqësuesve të pensionistëve, si kryeministër i ardhshëm u zotova se do t’i rris pensionet e tyre deri në 80 për qind. Po ashtu, të gjithë pensionistët kontributdhënës me përvojë pune nën 15 vjeçare, që aktualisht janë në skemën e pensioneve themelore, do të kalojnë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës”, ka shkruar ai në ‘facebook”.
“Ata do të marrin pensione me rritje, sipas përqindjes së përshkallëzuar, bazuar në kohëzgjatjen e viteve të punës dhe në kriteret e strukturës kualifikuese”.
Veseli tha se qeveria e re e udhëhequr nga ai do t’i mbulojë tërësisht edhe kostot e barnave specifike për të gjithë të sëmurit kronikë, që janë mbi moshën 65 vjeçare.
Gjithashtu, i pari i PDK-së u premtoi pensionistëve se të rinjtë nuk do të largohen nga vendi i tyre.
“Të gjithë pensionistët i siguroj se nipat dhe mbesat e tyre më nuk do të largohen, por do të qëndrojnë në Kosovë”, përfundoi ai.