Haradinaj: Do të angazhohem për sigurimin shëndetësor për të gjithë qytetarët
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse zgjedhet kryeministër, në mandatin e radhës një pjesë të vëmendjes të madhe do t’ia kushtojë themelimit të Sigurimit Shëndetësor për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Sigurimet shëndetësore, po flasim për të gjithë Kosovën. Në hapje të fushatës atë ditë, e shihni atë ditë, e kemi mundësi për krijimin e formulës. E kam në plan me u marrë me këtë punë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se tash ekziston një sistem kaotik shëndetësor. Haradinaj ka thënë se megjithëse thuhet se ofrohen shërbime falas shëndetësore, kjo gjë nuk është e vërtetë, ngase siç ka thënë ai, qytetarët e Kosovës po paguajnë për t’u shëruar.
Haradinaj nuk ka dhënë afate për shkak të komplikueshmërisë që e ka ky projekt, por ka thënë se do të angazhohet me përkushtim në këtë gjë.