Haradinaj: Amerikanët nuk kanë problem me taksën, por duan vazhdimin e dialogut
Kryeminstri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se amerikanët nuk kanë problem me taksën, por kërkojnë vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Megjithatë, ai ka thënë se heqja e taksës duhet të vijë me përmbylljen e procesit të njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ata nuk kanë problem me taksën, por kërkojnë vazhdimin e dialogut. Mendoj se duhet të kemi tavolinë një herë, pra takime. Aty me siguri kanë me u hapë krejt temat”, tha Haradinaj në RTV Dukagjini.
Haradinaj ka thënë se nëse do të jetë kryeministër i Kosovës edhe për një mandat, atëherë ai do të kërkoj një dialog paraprak që të bëhet një marrëveshje që taksa suspendohet kur të afrohet përmbyllja e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Në atë rast Kosova, nëqoftëse zgjedhem, do të kërkoj një kornizë për njohje. Që koha e suspendimit së taksës të vjen me konferencën finale për njohje. Nuk jam i gatshëm që ta heqë taksën pa asgjë, dhe të kthehemi në dialog pa asgjë. Unë jam pro dialogut pa kushte, pa e heqë taksën, me u kthy dy palët. Duhet një ngjarje finale. Çdo proces duhet të rezultojë me një ngjarje finale”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se këto deklarata i ka theksuar edhe para të dërguarit amerikan për dialogun, Matthew Palmer