Veseli: PDK e vetmja parti që merr vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit
Kandidati për kryeministër nga PDK, Kadri Veseli, ka thënë se qytetarët e vendit e besojnë partinë që e udhëheqë për shkak së është parti që merr vendime.
Ai në një takim me banorët e Hasit të Prizrenit, tha se PDK-ja është e vetmja parti që merr vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit.
“Oponentët tanë po çuditen dhe nganjëherë edhe po mallkojnë pse po përkrahemi, pse qytetarët e besojnë PDK-në. E besojnë se nuk po shan, e besojnë se nuk është e fjalëve, po merr vendim, është e vetmja parti që merr vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Është parti e cila ka projekt konkret, i din hallet e qytetarëve të vendit të vet, i din cilat janë problemet, cilat janë ballafaqimet, është papunësia, hajde të merremi me këtë pjesë, ta fuqizojmë ekonominë, e si mund ta zhvillojmë ekonominë, me fjalë nuk zhvillohet, zhvillohet përmes një koncepti i cili është i ndërmarrësisë dhe ekonomi e dijes”, tha Veseli.
Veseli nga Hasi ka premtuar se në qeverisjen e tij do të ndihmojë të rinjtë e vendit, sidomos ata që orientohen në fushën e teknologjisë së informacionit.
Veseli përkrahje premtoi edhe për fermerët, ndërmarrësit, pensionistët dhe ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Kam me i përkrahë pensionistët, ky është mesazhi, nuk kam me i lanë nën lëmoshë. Çdo vit kanë me iu rritë për 20 përqind pensionet, kjo i bie për 4 vite 80 përqind, mbajeni në mend sot. Kam me i përkrahë bashkëluftëtarët e UÇK-së, nuk lejoj që ata me kalu në lëmoshë, do t’i përkrahen fuqishëm. Së pari iu kisha lut juve mos i leni mashtruesit me qenë me neve, pasi nuk kanë qenë në luftë, e para. E dyta, luftëtarët të cilët kanë qenë në UÇK nuk guxojnë me mbet në lëmoshën e 170 eurove”, tha ai.
Pretendenti për kryeministër, Kadri Veseli ka premtuar se do të mbështesë familjet e dëshmorëve, ku tha se ata do të marrin pensionet edhe për heroin edhe për martirin.
“Është moment referendumi, në cilin drejtim do të shkojë Kosova, a do të shkojmë në drejtimin euroatlantik, në drejtimin e një Kosove të zhvilluar ekonomikisht, një Kosovë e cila është shumë fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Apo do të shkojmë të merremi me njëri tjetrin, me u nda për flamuj, a flamuri shtetëror apo kombëtar, me u nda a Republika e Kosovës a bashkimi kombëtar. Këto nuk na qojnë askund, ne duhet të bëhemi bashkë, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, është i qytetarëve, është i 93 përqind shqiptarëve të cilët jemi ne. Hajde ta bëjmë këtë vend më të mirë, kështu që bashkohuni më 6 tetor mos u ndani”, tha Veseli.
Ndërkaq, Adem Morina kryetar i degës së PDK në Has, tha se qytetarët e Hasit dhe të Kosovës kanë njëmijë arsye për ta votuar PDK-në.
“Ne kemi më shumë se njëmijë arsye pse duhet votuar PDK. PDK është parti e vendimeve, është parti përmes së cilës Kosova ka kaluar një sërë vendimesh, duke nisur nga liria, nga shpallja e pavarësisë, shtetndërtimi e të gjitha me radhë. Andaj ne duhet t’i besojmë fuqishëm dhe nga këtu z. kryetar ju themi Hasi është po me PDK dhe po fitores”, tha ai.