Limaj: Koalicioni jonë do të jetë befasia spektakolare e zgjedhjeve
Nisma Socialdemokrate ditën e dytë të fushatës zgjedhore e ka vazhduar në qytetin e Skenderajt.
Nga aty kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj theksoi se koalicioni i tyre do të jetë befasia spektakolare e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe kjo sipas tij do të nis me Skenderajn.
Limaj tha se këtë bindje ia jep fryma e tyre socialdemokrate, që jep ide për të mirën e vendit.
“Vendi ynë ka nevojë për njerëz me frymë pozitive, me njerëz që nuk humbin kohë duke i sharë të tjerët. Me njerëz që nuk humbin kohë duke bërë me gisht tek të tjerët. Me njerëz që këtë kohë të shtrenjtë e shfrytëzojnë duke dhënë ide, e duke punuar fortë për një punë të mirë për vendin e tyre. Kjo frymë do të fitojë në Kosovë. Kjo është fryma që e konsolidon këtë shtet”, tha ai.
Kandidati për kryeministër u kërkoi qytetarëve në Skenderaj që mos ua japin votën atyre që i kanë zhgënjyer tash e shumë vite. Për këtë arsye ai tha se duhet t’i jepet mundësia njerëzve të rinj.
Limaj gjatë tubimit elektoral në Skenderaj tha se askush nuk mund të ndal konceptin e Nismës dhe u kërkoi qytetarëve të angazhohen për të shtrirë këtë frymë në qytetin e lirisë.
“Më të drejt ne, ju struktura dhe kandidatë, presim që befasia spektakolare të fillojë me Skenderajn. Asnjë njeri këtu hiç nuk e ndal Nismën. Ne jemi këtu se jemi në vendin tonë, kështu që dilni në qytet dhe fshatra që të fuqizojmë këtë frymë politike”, tha ai.