Haziri thumbon Kurtin: Është merakosur për nominimin e Vjosa Osmanit për kryeministre
Shefi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri duke përmendur Albin Kurtin të cilin ditë më parë e quajti ‘Mr.Bean”, tha se ai është bërë merak tash e një muaj, se pse ai ka qenë i lumtur me nominimin e Vjosa Osmanit, për kryeministre nga LDK.
Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, Lutfi Haziri tha gjatë një tubimi me qytetarët e Klinës, se kundërshtarët politikë janë munduar t’i bëjnë “sehire” Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që të njëjtit kanë mbetur të zhgënjyer.
“Ai që unë i them unë ‘mr.Bean’ është bërë merak ta di pse unë kam shkuar i lumtur në takimin, dhe kam qenë i lumtur pas rizgjedhjes së Isa Mustafës kryetar dhe se është nominuar Vjosa Osmani për kryeministre, iu ka bë merak që një muaj nuk po i bie në fije pse unë kam qenë më i lumturi. Dëshiroj t’i them nga Klina se kurrë më i lumtur se atë ditë nuk kam qenë. Sheshi i Prishtinës mbrëmë dhe kjo sallë tregon që LDK tregon se ne jemi unifikuar, dhe besimi ynë është në Vjosën. Ata që kanë pritur dhe kanë bërë ‘sehire’ natën për të përçarë LDK-në, me thyer edhe në copat e saj, kanë dalë të zhgënjyer, kanë për të mbetur të zhgënjyer për jetë, sepse LDK është rikthyer në besim në familje që është program i Vjosës”, tha Haziri.
Ai tha se sot janë kthyer në Klinë që të falënderojnë qytetarët për pjesëmarrjen në manifestimin e mbrëmshëm në Prishtinë.
Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, para qytetarëve të Klinës, Vjosa Osmani tha se mërgata asnjëherë nuk ka marrë respektin e merituar.
“Jam këtu për të takuar njerëzit me vullnet të hekurt, sepse Klina e ka dëshmuar këtu pavarësisht se sa në rrezik ishte jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas luftës… Ne nuk flasim në një për e në anën tjetër për t’u lejuar të kidnapojnë qytetarët e shteteve tjera në shtetin tonë. Ne nuk flasim për vizion evropian, për t’iu lejuar të vidhen dhomat e dëshmive, dhe për të lejuar që qeveria jonë me qenë çdo ditë në televizion për skandale korruptive, ato nuk janë vlerë evropiane. Vjedhja e shtëpisë tënde nuk është vlerë evropiane, abuzimi i shtëpisë tënde, keqpërdorimi i shtëpisë tënde nuk është vlerë evropiane. Unë kam ardhur t’ju lus që të mos e rrezikoni shtetin, të ardhmen dhe dinjitetin duke e lënë atë në duart e partive të tjera. Ne jemi tash të bindur që nuk ka askush që e ndal fitoren tonë”, tha ajo, raporton KP.
Ajo premtoi se gjatë qeverisjes së LDK-së, Komuna e Gjilanit do të shndërrohet në qendër të rëndësishme të turizmit kulturor.
Kryetari i Degës së LDK-së në Klinë, Fadil Gashi u shpreh i bindur se më datën 6 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalë fituese.
“Unë sot para jush jam i lumtur, i sigurt dhe i bindur. Kandidatja jonë e ka mbush këtë vend, me krenari. Jam shumë i sigurt se më 6 tetor se do t’i besojmë njëri-tjetrit me instrumentin e votës, do të bëjmë kryeministre Vjosa Osmanin, dhe do të marrim shumicën e ulëseve në Kuvendin e Kosovës. Kam bindje që data 7 do ta gjejë Kosovën, me shpresë dhe besim. Zot, ruaje Kosovën edhe nga Fatmiri, Kadriu, edhe nga Mr.Beani”, tha Gashi.
Ai tha se ‘fytyra’ e vërtetë e familjeve shqiptare, është Vjosa Osmani.
Kandidatët për deputetë të LDK-së nga komuna e Klinës janë Mirjeta Kalludra, Ukë Berisha dhe Isuf Berisha.