Limaj i premton 500 milionë euro sektorit të bujqësisë, shtesa për fëmijë e shume subvencione të tjera
Kandidati për kryeministër nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka falënderuar të gjithë për përkrahjen e parezervë që po i japin këtij koalicioni gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit.
Ai ka thënë së kanë zgjedhur pesë prioritete për qeverisjen e ardhshme.
Limaj në profilin e tij në facebook ka shkuar se ndër këto pesë prioritete është zhvillimi ekonomik, përmes investimeve të fuqishme në bujqësi deri në 500 milionë euro brenda një mandati qeverisës, vazhdimin e mbështetjes së prodhuesve vendorë, paketën sociale që parasheh shtesa për fëmijë, sigurime shëndetësore etj, përcjell FaktePlus.
Postimi i plotë i Limajt në Facebook:
Të nderuar qytetarë, struktura dhe aktivistë të Nismës Socialdemokrate
Mbrëmë e hapëm edhe zyrtarisht fushatën zyrtare para mijëra përkrahësve tanë.
Falënderime të gjithëve për përkrahjen e parezervë që po i jepni koalicionit tonë.
Sot, po nisim turin e takimeve me qytetarë dhe përkrahës tanë anekënd vendit për të shpalosur para njerëzve tanë vizionin tonë dhe projektin Bashkë për Shtetin!
Ne garojmë në zgjedhjet e 6 tetorit me programin i cili i adreson shqetësimet e qytetarëve të vendit.
Ne kemi zgjedhur pesë prioritete për qeverisjen e ardhshme:
Zhvillimi ekonomik, përmes investimeve të fuqishme në bujqësi deri në 500 milionë euro brenda një mandati qeverisës, vazhdimin e mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë, paketën sociale që parasheh shtesa për fëmijë, sigurime shëndetësore dhe qasjen ndryshe ndaj diasporës.
Po ashtu qytetarëve të Kosovës, ia kemi ofruar listën me kandidatët më të mirë për deputetë. Njerëz të dëshmuar në etapa të ndryshme për vendin dhe të cilët meritojnë mbështetjen e qytetarëve të vendit.
Ftoj qytetarët e Kosovës ta mbështesin këtë vizion i cili ofron dhe bashkon njerëz dhe jam i bindur se ky vizion kurdoherë do të triumfojë sepse vetëm ky vizion e çon vendin përpara.
Bashkë për Shtetin! FL