100 prokurorë ndjekin procesin e zgjedhjeve në Kosovë
Akterët e përfshirë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit janë mobilizuar që mbarëvajtja e këtij procesi zgjedhor të jetë e qetë dhe pa incidente.
Koordinatorja e prokurorëve Laura Pula ka thënë se të gjithë ata persona që kryejnë shkelje dhe vepra penale gjatë procesit, duhet ta dijnë se prokuroria është e gatshme të veprojë.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë zgjedhjeve janë të angazhuar 100 prokurorë në regjione të ndryshme.
Ndërsa Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se për herë të parë janë të përfshirë në zgjedhje edhe 15 gjyqtarë që mbulojnë të gjitha komunat e që sipas saj do të jenë në gatishmëri t’i shqyrtojnë kërkesat e prokurorëve për caktimin e masave ndaj personave që kanë kryer vepra penale.
Edhe nga Policia e Kosovës kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë siguri sikurse gjate fushatës edhe gjatë ditës së zgjedhjeve.