Kandidati që garon për deputet pa rrjete sociale e reklama
Përveç medieve, tashmë edhe rrjetet sociale janë mbushur me reklama të ndryshme të fushatës zgjedhore. Me t’u kyçur në cilindo rrjet social, ajo që më së shumti sheh, janë reklamat e subjekteve politike, por edhe kandidatëve që po garojnë për zgjedhjet e 6 tetorit.
Numrat e partive politike me të cilat po garojnë në këto zgjedhje, listat e kandidatëve për deputetë në legjislaturën e ardhshme, spote politike, tubime me elektoratin, janë vetëm disa prej atyre që thuajse çdo politikan, kandidat për deputet e simpatizantë politik po publikojnë në rrjetet sociale.
Por, përjashtim nga ky veprim i shumicës ka bërë një kandidat që po garon për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Ai deri më tani nuk ka përdorë asnjë rrjet social, por nuk ka bërë as ndonjë reklamë.
Bëhet fjalë për ish- ministrin e Financave, që vjen nga qyteti i Mitrovicës, Bedri Hamzën.
Si reklamë më të mirë për vetën, Hamza thotë se e sheh punën e tij, që ka bërë gjatë viteve nëpër institucione të ndryshme.
Edhe përkundër se nuk nuk ka rrjete sociale dhe pa fushatë mediale, Hamza i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, se ai dhe Partia Demokratike e Kosovës do të dalin fitues në këto zgjedhje.
“Unë as nuk kam Facebook, as nuk jam duke bërë reklama. Dua të tejkaloj vetën edhe kësaj radhe, do të thotë me mujt veten. Jam hy në garë, nëse ma qesin votën nera iu rritë, nëse nuk ma qesin hajr qoftë, le të del ku të del. Unë besoj se do t;i marrë votat për të qenë deputet. Kam punu aq sa kam ditë dhe kam mujtë. Madje që një kohë të gjatë jam edhe pjesë e jetës publike”, shprehet Hamza.
Madje ai tha se është i fokusuar që PDK-në ta nxjerrë të parën në Mitrovicë, e që beson që do të ketë diferencë domethënëse të votave atje.
Përveç vendbanimeve të ndryshme nëpër Kosovë, Hamza thotë se ka më shumë përkrahjen e mitrovicasve.
“Jam kryesisht i fokusuar në degën e Mitrovicës dhe jam duke bërë përpjekje të mëdha me qitë partinë mirë në Mitrovicë, kurse të tjerat nuk janë shumë për mua relevante. Absolut që e kam përkrahjen e qytetarëve të Mitrovicës. Dhe nuk kam dilemë që kemi me qenë partia e parë në Mitrovicë, bile me diferencë domethënëse të votave”, është shprehur Hamza.