Shala premton angazhim për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka thënë se që nga viti 2012 është bërë shumë pak në jetësimin e projekteve të planit për ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Ai ka kujtuar se në vitin 2012, Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës, aprovuan Planin Hapësinor për “Zonën e Interesit të Veçantë – Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Kleçkë – Divjakë”.
Sipas tij, qëllimi i hartimit të këtij plani ishte të vihen nën mbrojtje të gjitha objektet me rëndësi të veçantë nga koha e luftës së UÇK-së në këtë zonë.
“Këtu kanë qenë përfshirë objekti i Shtabit të Përgjithshëm, spitalet, varrezat e dëshmorëve, pikat e rëndësisë luftarake, bunkerët e luftës, kampet e refugjatëve të luftës, objektet dhe infrastruktura e medieve të luftës, si dhe monumentet e natyrës në këtë hapësirë. Që nga ajo kohë është bërë shumë pak në jetësimin e projekteve të këtij plani dhe në ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”, është shprehur Shala.
Ai ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është projekti më i vlefshëm dhe më madhor për Kosovën në 100 vitet e fundit.
Shala është zotuar se në mandatin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, me Kadri Veselin kryeministër, do të angazhohen maksimalisht në mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
“Zotohem për angazhim maksimal në promovimin dhe ruajtjen e këtyre vlerave historike me përmasa kombëtare me projekte konkrete, përfshirë edhe projektet për Planin Hapësinor për “Zonën e Interesit të Veçantë- Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Kleçkë – Divjakë’’, ka thënë ai.
Mes tjerash, Shala tha se do të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjitha kategoritë e dala nga lufta, përmes përmirësimit të mirëqenies sociale dhe ekonomike të këtyre kategorive.