Fatmir Limaj ka një thirrje për qytetarët e Kosovës
Koalicioni NISMA-AKR-PD, do të nis nesër fushatën zgjedhore në komunën e Prishtinës. Kur kanë mbetur edhe pak orë nga kjo hapje, kandidati për kryeministër, Fatmir Limaj e ka bërë një thirrje në Facebook për qytetarët e Kosovës.
“Për ta filluar rrugën tonë të fitores më 6 tetor, si kandidat për kryeministër nga koalicioni fitues, NISMA-AKR-PD, me shumë kënaqësi ju ftoj që të merrni pjesë në tubimin e hapjes së fushatës për zgjedhjet parlamentare 2019!”, ka shkruar Limaj.
Ky është postimi i plotë në Facebook:
Të dashur anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të koalicionit tonë fitues, NISMA-AKR-PD,
Të nderuar qytetarë,
Na ndajnë vetëm pakë orë nga hapja zyrtare e fushatës për zgjedhjet parlamentare 2019.
Ne po futemi në periudhën e fushatës zgjedhore, andaj para neve dhe juve shtrohet angazhimi dhe përgjegjësia e organizimit të një fushate të ndershme, demokratike, me integritet dhe të bazuar në ligj, duke respektuar plotësisht Kodin e Mirësjelljes, për të krijuar kushte për zgjedhjen e përfaqësueseve tanë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Mbështetës të dashur,
Jemi bërë Bashkë për Shtetin, boshti ynë politik është alternativa më e duhur për vendin, e për këtë, më meritorët sigurisht që jeni Ju.
Për ta filluar rrugën tonë të fitores më 6 tetor, si kandidat për kryeministër nga koalicioni fitues, NISMA-AKR-PD, me shumë kënaqësi ju ftoj që të merrni pjesë në tubimin e hapjes së fushatës për zgjedhjet parlamentare 2019! FL
Data: E MËRKURË, 25 SHTATOR 2019
Koha: 18:00
Vendi: SALLA 1 TETORI – PRISHTINË