Nesër pritet të nisin gërmime për varreza masive në Uglarë të Fushë Kosovës
Nesër pritet që të nisin gërmime për varreza masive dhe individuale në fshatin Uglarë të Fushë Kosovës. Aty do të kërkohen eshtra të disa personave që konsiderohen të pagjetur që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Kosovë.
Lajmin për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus e ka bërë të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Kushtrim Gara.
Këto punime, sipas tij, do të nisin nesër dhe do të vazhdojnë deri pasnesër në të cilin dyshohet për dy lokacione ku mund të gjenden mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Nesër do të fillohet të gërmohet në dy lokacione në Uglarë, në komunën e Fushë Kosovës nga një hulumtim paraprak që është bërë me radar depërtues vitin e kaluar është dhënë rekomandimi që duhet të punohet në këto dy lokacione gjithashtu është lëshuar edhe urdhëresa që nesër dhe pasnesër duhet të punohet në këto dy lokacione”, ka thënë Gara.
Ai ka theksuar se Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur është në vazhdimësi me punime në teren, duke kryer aktivitete të planifikuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
Gara ka treguar gjithashtu se tek varrezat në veri të Mitrovicës, janë duke vazhduar gërmimet për gjetjen e trupit të një personi që ishte zhdukur gjatë kohës së luftës me Serbinë.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve është hasur në mbetje mortore, por është konfirmuar se nuk janë eshtrat e trupit që po kërkohet.
“Gërmimet kanë filluar nga ora 10:00. Kërkimet po vazhdojmë për gjetjen e mbetjeve mortore të një personi të zhdukur gjatë luftës. Deri më tani është hasur në mbetje mortore, por është konfirmuar se mbetjet nuk janë të personit që po kërkojmë. Për të qenë të kujdesshëm në raport me familjarët, në bazë të një vlerësimi paraprak që kemi bërë, janë diku edhe tetë persona që vazhdojnë të jenë në atë hapësirë të varrezave”, ka thënë Gara.
Ndryshe, më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur si pasojë e luftës së fundit në vitet 1998- 1999 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante. Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.
Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Ndërkohë ngadalësimi në procesin e zgjidhjes së rasteve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovës, nënkupton se mbi 1600 familje vazhdojnë të presin pafund për më të dashurit e tyre të cilët u zhdukën qe dy dekada./FaktePlus