Katër ish- ushtarët e UÇK-së që nuk ndryshojnë asnjëherë numrat në zgjedhje
Janë katër ish- ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pas përfundimit të luftës, kush më herët e kush më vonë edhe u angazhuan në jetën politike në vend, duke u anëtarësuar në subjekte të ndryshme. Edhe pse në parti të ndryshme, këta persona kanë diçka të përbashkët. Ata prej se garojnë në zgjedhje, asnjëherë nuk ndryshojnë numrat e tyre.
Shpengimet dhe arsyet për mbajtjen e numrave të njëjtë si kandidatë për deputetë në disa palë zgjedhje, i kanë treguar vetë personat gjatë prononcimeve për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Njëri prej tyre, në luftë kishte marrë nofkën dhjetëshi (10) me të cilën u bë i njohur. E këtë nofkë e thërrasin edhe pas luftës, tash e dy dekada.
Është ky Rexhep Selimi, i cili do të jetë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit. Për ta kujtuar çdo herë e për ta pasur sa me të lehtë ta gjejnë në listën zgjedhore, Selimi, do ta ketë pikërisht numrin 10 në listën e Vetëvendosjes për deputet.
Me këtë, Selimi thotë se Lëvizja Vetëvendosje po e nderon atë dhe të kaluarën e tij, duke ia rezervuar numrin 10 në listën e kandidatëve për deputetë, tash e tri palë zgjedhje.
Për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Selimi, ka thënë se ishte vetëm në një palë zgjedhje kur ai kishte tjetër numër, zgjedhjet e vitit 2010, meqë atëherë lista ishte hartuar në bazë të alfabetit të gjuhës shqipe, nga A deri në Zh.
“Është hera e trete qe ne listën e kandidateve te Lëvizjes Vetëvendosje për deputet unë mbaj numrin 10. Ky është një respekt nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për te kaluarën time në luftë që lidhet me numrin 10, gjë për të cilën unë jam falënderues. Vetëm në 2010-ten unë kam pasur numër tjetër për arsye se në ato zgjedhje është përdorur alfabeti si renditje në listë”, ka thënë Selimi, shkruan FaktePlus.
Në zgjedhjet e vitit 2010, Selimi që kishte kandiduar për herë të parë me Lëvizjen Vetëvendosje, kishte numrin 89 në listën e këtij subjekti politik. Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2014, 2017 kishte garuar me numrin 10, sikurse edhe në zgjedhjet e vitit 2019 që do të mbahen me 6 tetor, do të garojë me numrin 10.
Në disa palë zgjedhje të njëjtin numër e mbanë edhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.
Nga zgjedhjet e vitit 2010 kur kishte kandiduar për deputet me AAK-në, Haradinaj ka mbajtur numrin 50 në listën e kandidatëve për deputetë.
Ai thotë për FaktePlus, se e ka zgjedhur gjithmonë këtë numër së pari për t’iu dhënë hapësirë të tjerëve që të renditen më lartë në listë, e pastaj është bërë edhe identifikues për të.
“Në fillim e kam marrë këtë numër për të krijuar mundësi për të tjerët që të renditen më lartë në listë. Pastaj kjo u bë një lloj standardi pasi nuk është numër shumë i preferuar për të tjerët, ndërsa për mua është lehtësi pasi qytetaret të identifikojnë më lehtë me numër 50”, ka thënë Haradinaj, për FaktePlus.
Edhe ish- deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, do t’i hyjë sërish garës për të fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Është interesant fakti se Haxhiu në tri palë zgjedhje ka garuar në listën e PDK-së, me numrin 109, i cili duket se i ka sjellë fat.
“Është përgjegjshmëria në punën time si deputet në raport me qytetarë në shërbim të tyre në çdo kohë. Unë nuk kam ndryshuar, nuk e kam ndryshuar as numrin e kandidimit në listat për deputet. Numrin 109 e kemi bërë të veçantë, simbol të punës, përgjegjshmërisë dhe fitores”, tha Haxhiu për FaktePlus.
Haxhiu kishte garuar në zgjedhjet e vitit 2010 për herë të parë në listën e PDK-së për deputet, me numrin 109, ku kishte arritur të zgjedhet deputet për herë të parë, duke marrë 11 mijë e 200 vota.
Me të njëjtin numër (109) Haxhiu kishte garuar edhe në vitin 2014 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku përsëri kishte arritur të marrë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvend. Në këto zgjedhje ai kishte marrë 12 mijë 800 vota.
Besnik këtij numri, Haxhiu i kishte qëndruar edhe në zgjedhjet e kaluara që janë mbajtur në qershor të vitit 2017. Në listë me numrin 109, në këto zgjedhje, Haxhiu kishte marrë 14 mijë vota.
Shpjegim interesant për përzgjedhjen e numrit 51 në listën e kandidatëve për deputet, e ka edhe Fisnik Ismaili, i cili garon që disa palë zgjedhje me të njëjtin numër.
Në zgjedhjet e vitit 2014 Ismaili thotë se kishte numrin 55, derisa e kishte ndërruar në zgjedhjet e 2017-tës, duke u renditur në listë me numër 51. E këtë numër ai e shpjegon pse e kishte zgjedhur.
“Në zgjedhjet e 2017, e ndryshova në 51, sepse kur kombinohet numri me inicialet e mia F.I., lexohet Fisi (FI51), që është nofka me të cilën më njohin të gjithë. Mendoj se është gjetje kreative për me u mbajtë në mend numri më lehtë, edhe me u identifikue më shpejt. Njëkohësisht, prapë i shmangem atyre “betejave” që i përmenda më lartë”, ka shpjeguar Ismaili për FaktePlus.
Po ashtu, ai thekson se zgjedhja e tij për numrin 55 e 51 ka qenë edhe për shkak se nuk ka dashur të jetë pjesë e ‘betejave’ për t’u renditur sa më lartë në listë, sidomos në 10-shen e parë.
“Gjithmonë kam besue se votuesi që do me ta dhanë votën ty, ka me ta kërkue numrin, cilido qoftë ai. Kështu edhe tregohet se vota jote është ajo e vërteta”, është shprehur ai.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit do të garojnë 1070 kandidatë nga të gjitha subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje./FaktePlus