Qindra organizata joqeveritare do të monitorojnë zgjedhjet e 6 tetorit
Qindra organizata joqeveritare janë bërë bashkë për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Interesim për vëzhgim të zgjedhjeve, po ashtu kanë shprehur edhe organizata ndërkombëtare. Madje, mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do ta përcjellë edhe një mision i dërguar nga Bashkimi Evropian (BE), shkruan FaktePlus.
Sikurse në të gjitha zgjedhjet e kaluara edhe në këto zgjedhje nuk do të ketë ndryshime sa i përket monitorimit të procesit zgjedhor.
Blerta Aliu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për FaktePlus, se vetëm DnV-ja brenda rrjetit të saj ka mbi 100 organizata joqeveritare për të monitoruar komplet procesin zgjedhor.
“Demokracia në Veprim ka në rrjetin e saj mbi 100 Organizata Jo Qeveritare (OJQ) të cilat janë të angazhuara në vëzhgimin e procesit zgjedhor duke filluar nga periudha parazgjedhore, zgjedhore dhe pas zgjedhore”, ka thënë Aliu.
Aliu, ka thënë se jo vetëm më 6 tetor, por edhe në këtë kohë kur ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata janë duke monitoruar punën e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe organizimin e zgjedhjeve.
“Jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, ne veç jemi duke monitoruar punën e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe organizimin e zgjedhjeve që është KQZ-ja. Gjithashtu, tani kemi akredituar kontigjentin e parë me mbi 100 vëzhgues afatgjatë të cilët do të fillojnë të monitorojnë fushatën zgjedhore, shpenzimet e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore dhe mediet e shkruara dhe elektronike”, ka deklaruar ajo.
Aliu, ka treguar edhe numrin e vullnetarëve të cilët do të angazhohen në zgjedhjet e 6 tetorit nga DnV-ja.
“Po ne tani kemi planin operacional të veprimit dhe kemi filluar aktivitetet e para bazë, e të cilat normalisht që më 6 tetor rrisin kapacitetet tona me vullnetarë në të gjitha vendvotimet dhe qendrën e thirrjeve që njëherit shërben dhe për komunikim me publikun. DnV më 6 tetor do të ketë të angazhuar rreth 2900 vullnetarë”, ka treguar Aliu.
Por, të gjitha aktivitetet për zgjedhje kërkojnë edhe mbulueshmëri buxhetore.
Aliu, pa dashur të specifikojë më shumë detaje rreth financimit, ka thënë se janë në pritje të përmbylljes së marrëveshjeve me partnerë të ndryshëm.
“Zgjedhjet e parakohshme me afatet kohore dhe dinamika të shpejta janë sfiduese për DnV-në përgatitjet e misionit në njërën anë dhe në të njëjtën periudhë kohore sigurimin e fondeve për të mundësuar veprimin e misionit më të madh vendor gjatë procesit zgjedhor. Por, tani jemi në përfundim të përmbylljes së marrëveshjeve me partnerët tanë të cilët vazhdojnë ta mbështesin DnV-në si janë ambasadat dhe agjencionet shtetërore nga shtetet e Quintit”, ka deklaruar ajo.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 6 tetor, pas shpërndarjes së Kuvendit më 22 gusht, pasi që ish- kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje, pasi ishte ftuar nga Gjykata Speciale./FaktePlus