Kosova në rrezik prej zjarreve nga temperaturat e larta
Për shkak të temperaturave të larta, rreziku i rënies së zjarreve vazhdon të mbetet i lartë në Kosovë. Këto ditë të nxehta ka pasur disa raste që pjesë malore janë përfshirë nga zjarri, madje edhe objekte banimi e të biznesit. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave dhe zjarrfikësit vazhdojnë angazhimin për të përballur me situatën.
Temperaturat e larta që po mbretërojnë këto ditë, vazhdojnë të jenë rrezik për shpërthimin e zjarreve në gjithë vendin. Për shkak të nxehtit, në shumë rajone të Kosovës, ka pasur zjarre, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME) në gjashtë mujorin e këtij viti ka pasur 5947 raste të zjarreve në nivel vendi.
E për rrezikun nga zjarret ka folur drejtori i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Fadil Kodra.
Ai në një prononcim për FaktePlus ka bërë apel tek qytetaret që të mos ndezin zjarre këto ditë të nxehta, ndërsa në raste të ballafaqimit me zjarre të mos hezitojnë dhe të lajmërojnë institucionet në numrat emergjent, 112 apo 193.
“Si në çdo vend të botës po ashtu edhe në Republikën e Kosovës për shkak të temperaturave të larta ekziston rreziku për zjarre. Të tilla emergjenca ka pasur edhe gjatë muajit korrik dhe deri më tani zjarre ka pasur në çdo komunë, por jo me ndonjë intensitet të lartë krahasuar me korrikun dhe gushtin të vitit 2017”, ka thënë Kodra.
Duke krahasuar vitin e kaluar janar- dhjetor 2018 dhe periudhën kohore janar – qershor 2019, drejtori i AME-së tregoi se ka pasur një rritje të numrit të zjarreve krahasuar me periudhën paraprake gjashtë mujore.
“Gjatë periudhës janar-dhjetor 2018, janë paraqitur 7132 zjarre të llojeve të ndryshme, ndërkaq vetëm në periudhën kohore janar-qershor 2019 ka pasur 5947 raste të zjarreve. AME ka Planin e Reagimit Kombëtar, si dhe Planin për mbrojtje nga Zjarri , gjersa komunat hartojnë planet e tyre për mbrojtje nga zjarri”, ka thënë ai.
Më këtë numër të madh të zjarreve po përballen zjarrfikësit që nuk janë në numër të mjaftueshëm dhe që në shumë raste nuk kanë as mjetet e duhura për intervenim.
Duke u bazuar në Rregullore nr. 16/2012 për Strukturën Organizative të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, neni 14 së në çdo 1500 banorë, duhet pasur një zjarrfikës profesional.
Nga kjo del se gati në çdo komunë ka mungesë të personelit të zjarrfikësve.
“Numri i përgjithshëm i Zjarrfikësve në nivel vendi është 787 duke llogaritur edhe inspektorët e parandalimit 26. Vetëm në 4 (katër) komunat e pjesës veriore të Kosovës kemi tepricë të zjarrfikëseve profesional, bazuar në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015 ku 71 zjarrfikës janë integruar në AME. Me gjithë numrin e vogël tëë zjarrfikëseve, me automjete dhe pajisje kryesisht donacione këto njësi po arrijnë të përballen me situata emergjente në këtë sezonë verore ku po mbretërojnë temperatura të larta me zjarre fushore e malore”, ka thënë Kodra.
Ai tutje ka treguar se përmes Qendrës se trajnimeve në AKSP-Vushtrri bëhet edhe trajnimi i një numri të konsiderueshëm të vullnetarëve, duke filluar nga niveli lokal dhe ai qendror.
“Është obligim i niveli lokal (komunave) dhe institucioneve tjera që këto ekipe vullnetare të angazhohen në shuarje të zjarreve. Me 06.08.2019 Qendra e trajnimeve e AME-së në Vushtrri ka përfunduar trajnimin e 126 pjesëtarëve të Agjencisë sëë Pyjeve të Kosovës të cilët kanë një marrëveshje me ministrinë e Mirëqenës për angazhimin e tyre në për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve”, ka thënë ai.
Sipas drejtorit të emergjencave, një nga kërcënimet kryesore për shkaktimin e zjarreve vjen nga vetë qytetarët dhe pakujdesia e tyre kur bëjnë piknik.
Andaj, Kodra apelon se qytetaret nëse vërejnë zjarre duhet të lajmërojnë me kohë si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit.
Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME), tha se këto ditë të nxehta një kujdes i veçantë është duke iu kushtuar vendeve të cilat frekuentohen nga qytetarët për piknik gjatë ditëve të vikendeve./FaktePlus