Kosovari pranon në Prokurorinë gjermane të ketë vrarë gruan dhe partnerin e saj të ri
Kosovari i dyshuar për vrasjen e dyfishtë të shtunën në Iserlohn të Gjermanisë, ku të vdekur mbetën gruaja e tij, me të cilën ishte ndarë, dhe partneri i saj i ri, ka pranuar fajin.
Këtë e kanë konfirmuar për dpa / lnw hetuesit e rastit.
“Dyshojmë se motivi mund të gjendet në marrëdhënie”, ka thënë të hënën prokurori i Hagenit, Nils Warmbold.
LEXO EDHE: Pamje nga ngjarja e rëndë në Gjermani ku shqiptari vrau ish-gruan dhe të dashurin
Për detaje të informatave të dhëna nga 43 vjeçari, zyra e prokurorit publik nuk ka dashur të flasë duke thënë se hetimet janë ende duke u zhvilluar.
43 vjeçari akuzohet për vrasjen e gruas 32 vjeçare dhe partnerin e saj 23 vjeç me një thikë kuzhine të shtunën në stacionin e trenit në qytetin Sauerland.
Rreth dy muaj më parë, gruaja 32 vjeçare ishte bërë nënë e një vajze. Foshnja në kohën e sulmit ishte në veturën e nënës.
Prokuroria deri më tani pretendon se 23 vjeçari, tashmë i ndjerë, është babai i fëmijës.
“Nëse i dyshuari e ka ditur apo jo për fëmijën, mbetet e paqartë”, ka thënë prokurori.
43 vjeçari dhe viktima grua janë nga Kosova, ndërsa viktima mashkull është nga Afganistani.