140 mijë euro subvencione vetëm këtë vit për bujqësinë në Skënderaj
Kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari ka bërë sot shpërndarjen e disa mjeteve bujqësore në kuadër të mbështetjes direkte për fermerët e vyeshëm.
Jashari në këtë rast ka treguar se vetëm deri tani për këtë vit subvencionet në bujqësi kanë shkuar në 140 mijë euro.
“Duke bërë shpërndarjen e mjeteve bujqësore në kuadër të mbështetjes direkte për fermerët e vyeshëm që e duan punën, e prej të cilës krijojnë të ardhura, ne jo vetëm që e përmbushim obligimin për të zhvilluar bujqësinë, por edhe po ndjekim shembujt e suksesshëm, duke rritur vendet e punës dhe prodhimin”, ka thënë kryetari Jashari.
Ai tha se ndarja e sotme e 30 motokultivatorëve dhe 40 makinave mjelëse, është tjetër dëshmi e përkushtimit të komunës për bujqësi.
“Ky është një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe duhet ta fuqizojmë sa më shumë që mundemi. Urime për fermerët përfitues!”, tha Jashari.