Data e zgjedhjeve mban peng pastrimin e listës së votuesve
Pasaktësia e listës së votuesve vazhdon të mbetet element negativ i të gjitha proceseve zgjedhore në Kosovë. Përkundër disa përpjekjeve institucionale për ta pastruar listën e votuesve nga personat e vdekur, e ata që kanë hequr dorë nga shtetësia, janë raportuar raste kur emrat e tyre kanë figuruar në atë listë.
Ndonëse seanca për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës është caktuar për 22 gusht dhe vendi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, ende nuk dihet numri i saktë i qytetarëve që sivjet kanë të drejtë vote.
Nga Agjencia e Regjistrit Civil, e cila operon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë bërë me dije se ende nuk e kanë pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për pastrimin e listave të votuesve, duke mos dhënë kështu edhe numrin e saktë të votuesve.
Nga ARC pohojnë se do ta dorëzojnë ekstraktin me të dhënat e qytetarëve vetëm pasi që KQZ e bënë kërkesën.
“Agjencia e Regjistrit Civil dorëzon ekstraktin me të dhënat e qytetarëve që posedon, pas kërkesës nga KQZ. Kjo e fundit bënë kërkesën për ekstrakt të votuesve dhe ne si ARC ende nuk kemi pranuar një kërkesë të tillë që t’u dorëzohet ekstrakti me këto të dhëna”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë për FaktePlus.
Në anën tjetër nga KQZ kanë thënë se kërkesa për pastrimin e listës së votuesve bëhet vetëm pas shpalljes së datës së zgjedhjeve.
Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka thënë për FaktePlus se kjo kërkesë bëhet bazuar në ligjin dhe rregulloren zgjedhore.
“Ashtu siç parashihet në ligj dhe në rregullën zgjedhore për krijimin, konfirmimin dhe sfidimin e listës votuese, KQZ-ja e kërkon ekstraktin e regjistrit civil, pasi të shpallen zgjedhjet. Kështu është vepruar edhe në të kaluarën”, ka thënë Elezi për FaktePlus.
Si do qoftë lista përfundimtare e votuesve në vitin 2017 për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka përmbajtur 1,872,941 emra të votuesve, me dallim prej 155,202 votues më shumë, në krahasim me zgjedhjet e fundit të vitit 2014.
Kjo është lista e votuesve për vitin 2017
Kjo është lista me numrin e votusve të rinj dhe atyre të larguar nga lista më 2017
Pavarësisht se KQZ dhe organet tjera të shtetit ende nuk kanë nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhje, shumica e subjekteve politike thuajse tashmë janë në fushatë. E aktualisht është numër i madh i partive politike që janë funksionale në Kosovë. Me certifikimin e tri partive të reja, tani ka arritur në 55 numri i tyre në Kosovë.
Ato po presin që më 22 gusht të shpërndahet Kuvendi dhe mandej sipas dispozitave kushtetuese e ligjore prej 30 deri në 45 ditë vendi të mbajë zgjedhjet. Sipas një llogaritje zgjedhjet e përgjithshme pritet të mbahen në fund të muajit shtator apo në fillim tetorit.
Kujtojmë se shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës po vjen disa ditë pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak se ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Haradinaj dorëheqjen e ka arsyetuar, duke thënë se nuk mund të shkoj në Hagë me postin e kryeministrit./FaktePlus