Muqiqi propozohet kandidat për deputet
Afaristi i suksesshëm nga Kosova, i cili prej disa vitesh me disa bashkëpunëtor ka organizuar aktivitete të shumta për senzibilizimin e çështjes shqiptare në gjithë Ballkanin Perendimor, është propozuar si kandidat për deputet.
Këtë propozim e kanë dhënë anëtarësia e Shoqatës “Çamëria” të Kosovës gjatë një takimi të tyre.
Ata kanë propozuar që kryetari i tyre, Nexhmi Muqiqi, të shpallë kandidaturën për deputet dhe të garojë në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në Kosovë në fund të muajit shtator apo në fillim të tetorit.
Por, mësohet se Nexhmi Muqiqi ende nuk ka marrë një vendim pas kësaj kërkese.
“Ai është duke menduar për këtë propozim pasi është një biznesmen i suksesshëm dhe angazhimi direkt në politike do të bëjë që të mos jetë i fokusuar sa duhet në bizneset e tija familjare, e po ashtu edhe në drejtimin e shoqatës Çamëria të Kosovës”, ka thënë një anëtar i shoqatës.
Kujtojmë se afaristi Nexhmi Muqiqi para rreth 3 viteve bashkë me disa shokë të tij themeluan Shoqatën “Çamëria” të Kosovës dhe gjatë një periudhe të shkurtër arriti që numrin e anëtarësisë ta rriste mjaft shumë.
Kjo shoqatë ka zhvilluar shumë aktivitete, duke përkrahur çdo iniciativë kombëtare në tërë trevat shqiptare, si në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni, Preshevë, Diasporë, etj./FaktePlus