Vrasjet e sotme, pasojë e numrit të madh të armëve ilegale
Një grabitje e armatosur ndodhi sot në komunën e Shtimes, me ç’rast një person është plagosur dhe një tjetër mbeti i vdekur. E po sot një rast tjetër i rëndë ka ndodhur në një familje në Prizren, ku një person ka shtënë në drejtim të gruas së tij me 15 plumba, duke e lënë të vdekur atë në vend. Këto vrasje, si edhe shumë të tjera, dyshohet se u kryen me armë ilegale, e që në duart e kosovarëve vazhdojnë të jenë me qindra mijëra.
Raste të tilla të ngjarjeve kriminale e tragjike në Kosovë po përsëriten shpeshherë, madje armët ilegale po përdoren edhe gjatë festave, apo ahengjeve familjare, ngaqë festimet me të shtëna armësh tashmë janë bërë një lloj tradite në Kosovë, ndonëse një mënyrë e tillë festimi është e ndaluar me anë të ligjit.
Edhe pse Republika e Kosovës ka hyrë në dekadën e dytë të shtetësisë dhe i ka mbushur dy dekada nga përfundimi i luftës, po vazhdon të jetë shumë shqetësues fakti se edhe më tutje me qindra mijëra armë janë në duart e qytetarëve.
Zyrtarët nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), thonë se ka një ulje të numrit të armëve ilegale, por shifrat e dhëna për FaktePlus janë tregues se gjendja ende është alarmante.
Sipas statistikave të fundit në Kosovë ende gjenden mbi 250.000 armë ilegale në posedim të qytetareve, ndërsa nga MPB thonë se ky numër është zvogëluar paksa pas disa hapave që ka ndërmarr kjo ministri.
Ata thonë se mundësia për t’i legalizuar armët dhe konfiskimi nga ana e policisë, kanë quar në zvogëlimin e numrin e armëve ilegale në vend.
“Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është më i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale. Faktorët që kanë ndikuar në zvogëlimin e këtij numri janë, miratimi i ligjit për pajisen me armë në mënyre legale. Gjithashtu Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1500 armë ilegale”, bëri të ditur për FaktePlus, zyra për informim në MPB
Në anën tjetër, që nga shpallja e fushatës për legalizimin e armëve ilegale në fund të vitit 2018, në Ministrin e Punëve të Brendshme kanë ardhur mbi 1 mijë e 500 kërkesa për t’i legalizuar ato.
“MPB ende vazhdon me çështjen e legalizimit të armëve, sipas vendimit për vazhdim. Periudha e legalizimit përfundon më 17 shtator 2019. Deri më tani kemi 1518 aplikime për legalizim të armeve. Ne shpresojmë se për periudhën nëntë mujore do të kemi kërkesa të konsiderueshme për legalizim, në kuadër të këtij procesi kemi edhe kampanjën informuese me intervista, me pjesëmarrje të ekspertëve nëpër këshillat komunale të sigurisë në bashkësi që mbahen në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës, përmes rrjeteve sociale, video spoteve, televizive etj”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë për FaktePlus.
Edhe pse janë vetëm pak mbi 1500 kërkesa për legalizim, MBP, fushatën për legalizimin e armëve e ka konsideruar si të suksesshme, meqë sipas tyre ky nuk është numër i vogël.
E prej llojeve të armëve që posedojnë qytetarët, më së shumti janë, armë të gjuetisë B5 dhe C1 (armë e gjatë gjuetie), si dhe kategoria B1 (armë e shkurtë gjysmë automatike).
Është vlerësim i vazhdueshëm se armët e zjarrit që qarkullojnë nëpër duart e qytetarëve në Kosovë, në pjesën dërmuese edhe janë shkaktarët kryesorë të vrasjeve, por edhe të krimeve të ndryshme. Deri tani kanë ndodhur me qindra raste.
Kujtojmë që fushata për legalizim të armëve “Me Letra” është lansuar më 17 dhjetor të vitit 2018 dhe të gjithë ata që mbajnë armë ilegale dhe duan t’i kenë ato me leje, mundësinë e kanë deri më 17 shtator të këtij viti.
Pas kësaj date dënimet për armë mbajtje pa leje do të jenë mjaft të larta. Sipas Kodin Penal të Republikës së Kosovës dënimet me gjobë do të jenë deri në 7500 euro dhe me burg deri në 5 vite./FaktePlus