Limaj reagon pas ftesës së Speciales për Jakup Krasniqin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Fatmir Limaj, ka reaguar ndaj ftesës së Gjykatës Speciale për kryetarin e Këshillit Kombëtar të partisë që drejton, Jakup Krasniqi.
Limaj është shprehur i bindur se Krasniqi siç ka ditur të mbrojë disa herë pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të dijë edhe tani.
“Ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën tonë të drejtë”, ka thënë Limaj, raporton FaktePlus.
Me tutje Limaj ka theksuar se Specialja u formua nga Kuvendi i Kosovës, prandaj me fakte do t’iu kundërvihen shpifjeve të armiqve të Kosovës.
“Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj nuk kemi alternativë, pos përballjes me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës! Kam bindjen e fortë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë perballë shpifjeve”, është shprehur ai. /FaktePlus