Mustafa mbledh kryetarët e degëve të LDK-së
Kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka mbledhur në takim gjithë kryetarët e degëve të LDK-së.
Në këtë takim, sipas njoftimit të kësaj partie, është diskutuar rreth përmbylljes së procesit zgjedhor brenda LDK-së që do të mbahet më 3 gusht, e ku pritet të zgjidhen kryetari dhe Këshilli i Përgjithshëm.
“Këto organe udhëheqëse do të përgatisin LDK-në, në ndërlidhje të ngushtë me qytetarët e Kosovës, për fitoret e radhës në zgjedhjet lokale dhe qendrore për t’i dhënë vizion dhe orientim temave të mëdha me të cilat po ballafaqohet Kosova”, thuhet në njoftimin e LDK-së drejtuar mediave.
Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në prag të përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor, me ç’rast e ka caktuar edhe datën se kur do të mbahen zgjedhjet për të parin e partisë.
Më 3 gusht 2019, në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, delegatët e kësaj partie do të votojnë për kryetarin e ri, mirëpo deri atëherë ky subjekt politik po pretendon se nuk kanë të drejtë t’i përmendin emrat e kandidatëve për pozitën e kryetarit.