Krasniqi: Taksa s’është problemi kryesor për mos vazhdimin e dialogut
Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ripërsëritur se vënia e taksës nuk është pengesë për vazhdimin e dialogut, ani pse mund të jetë shkas.
Ai ka thënë se së pari duhet të diskutohen shkaqet që kanë sjellë në vendosjen e taksës.
“Fjala është për taksën që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për mallrat serbe. Kjo taksë po shihet nga shumë faktorë të jashtëm si pengesa kryesore e vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë?! Mbase taksa edhe mund të jetë si shkas, por problemi nuk është të shkasi, por të shkaqet që e sollën vendosjen e saj. Dhe shkaqet e shumta që e sollën taksën duhet kërkuar dhe janë vetëm e vetëm në Beograd, aty ku nuk ka asnjë pendim, madje as formal për krimin e gjenocidit që Beogradi zyrtar ka kryer në Kosovë”, tha Krasniqi, raporton Fakteplus.
Sipas Krasniqit, përveq që nuk ka pendim qoftë edhe formal nga ana e Beogradit për krimet e bëra në Kosovë, ata që kryen krime janë shpallur heronj.
“Përkundrazi, politika zyrtare në Beograd, kryesit e krimeve në luftë e të gjenocidit jo vetëm në Kosovë i ka shpallur heronj dhe i trajton si heronj. Tek e fundit edhe vet fakti se kjo politikë nuk e ka pranuar gjenocidin serb në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci e në Kosovë, bile as është distancuar nga politikat e gjenocidit, tregon se polit6ika zyrtare e Beogradit ato veprime edhe sot e gjithë ditën i konsideron të drejta dhe në të mirë të popullit serb”, është shprehur Krasniqi.
Me tutje ish kreu i Kuvendit ka shtuar se problemi nuk është taksa por mbrojtësit e politikave të krimit e gjenocidit.
“Kushdo që i ka përcjellë zhvillimet në ketë pjesë të Ballkanit edhe në dhjetë vitet e fundit e ka të qartë se ku fle lepuri (gde spava zec), thonë serbët! Shkurt: Problemi nuk është të taksa, por të mbrojtësit e politikave të krimit e të gjenocidit që e drejtojnë Serbinë edhe sot. Prandaj taksa nuk është problemi kryesor për mos vazhdimin e dialogut”, ka deklaruar. /FaktePlus