Nuk merren masa ndaj zyrtarëve serbë që u paguan pa qenë asnjë ditë në punë
Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm në publikimin e raportit për vitin 2018 ka evidentuar shkelje sa i përket 32 të punësuarve serbë në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Sipas të gjeturave të Auditorit, këta punonjës ishte planifikuar të sistemoheshin nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.
Tutje për zyrtarët e lartcekur, MASHT nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon Rregullorja e orarit të punës e hartuar nga Ministria e Administratës Publike, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre ku vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, ishte 134.657 euro.
Zyrtarë të MASHT-it, në një përgjigje me shkrim të dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus nuk kanë specifikuar masat që do të ndërmerren ndaj zyrtarëve serbë, madje kanë lënë të kuptohet se nuk do të ketë asnjë masë sanksionuese ndaj tyre.
Nga MASHT janë arsyetuar se problemi në fjalë nuk është vetëm tek ministria, pasi në këtë rast po zbatohen marrëveshje, të cilat janë me shtrirje më të gjerë institucionale.
“Lidhur me çështjen e ngritur nga ana juaj, ju informojmë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë zbaton edhe marrëveshje, të cilat janë me shtrirje më të gjerë institucionale. Marrëveshja të cilës ju i referoheni, është marrëveshje me shtrirje më të gjerë institucionale, pra nuk është marrëveshje dhe çështje që i përket vetëm MAShT-it, por edhe Qeverisë. Kjo marrëveshje është nënshkruar para vitit 2018”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it dhënë për FaktePlus.
Kompensimi i komisioneve të brendshme brenda orarit të punës, planifikim jo i mirë i projekteve kapitale, angazhime në kundërshtim me Rregulloren për të ardhura personale, janë vetëm disa nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2018.
Sipas këtij raporti që është publikuar të hënën, MASHT-i nuk po i adreson mjaftueshëm rekomandimet e vitit paraprak. Si rezultat i kësaj, thuhet se përmirësimet e organizatës janë të ngadalshme./FaktePlus