Murati tregon se kush është më meritori për lirinë e Kosovës
Pa rezistencën shqiptare dhe luftën e UÇK-së nuk do të kishte as ndërhyrje të NATO-s, ka thënë të mërkurën kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.
Sot Kosova po feston 20 vjetorin e çlirimit të saj dhe po falënderon të gjithë aleatët që ndihmuan që kjo ditë të vijë.
E Murati vlerëson se nuk ka dyshim se ndihma e tyre, ndërhyrja e NATO-s ishte e rëndësishme si akt i çlirimit të Kosovës.
Por, ai ka theksuar se pa rezistencën shqiptare dhe luftën e UÇK-së nuk do të kishte as ndërhyrje të NATO-s.
“Të gjithë duhet që jo vetëm të jemi të vetëdijshëm por edhe krenar e ta transmetojmë nga brezi në brez se faktori më meritor për lirinë e Kosovës është rezistenca shekullore e popullit shqiptar që kulmoi me luftën e armatosur çlirimtare të UÇK-së. Pa përpjekjet tona të vazhdueshme, pa luftën tonë, pa dëshmorët e luftës së fundit dhe të të gjithë brezave, nuk do të krijoheshin rrethanat që kjo rezistencë të përputhej edhe me interesat ndërkombëtare dhe të kishim një ndërhyrje ndërkombëtare e cila, përfundimisht, do të na lidhte në aleancë me shtetet kryesore të NATO-s, të prira nga SHBA-të”, ka thënë Murati.
Ai tha se Kosova këtë aleancë duhet të di ta ruajë dhe ta kultivojë, por gjithashtu duhet ta ruajë dhe kultivojë edhe krenarinë e ligjshme për rezistencën dhe luftën tonë çlirimtare.
Sepse nëse këtë të fundit e injorojmë, Murati thotë se “ne futemi në ciklin e pritjeve të vazhdueshme nga aleatët duke e amnistuar përgjegjësinë tonë që Kosovën ta bëjmë një vend dinjitoz”.