20 vjet nga çlirimi, 46 mijë trupa më pak të KFOR-it
Janë mbushur 20 vjet prej se u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës, e cila i dha fund dhunës serbe në Kosovë. E pasi u arrit kjo marrëveshje, vetëm tri ditë pas, më 12 qershor të vitit 1999, zbarkuan rreth 50 mijë trupa paqeruajtëse të NATO-s, me ç’rast u kurorëzua përfundimisht çlirimi i Kosovës.
Që nga ajo kohë, trupat e NATO-s që veprojnë në kuadër të KFOR-it, janë prezente në Republikën e Kosovës, ndonëse tani me një numër konsiderueshëm të reduktuar.
Në një përgjigje dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Vincenzo Grasso ka treguar se me sa ushtarë veprojnë tani forcat paqeruajtëse në gjithë territorin e Kosovës.
“KFOR-i ka adaptuar strukturën e tij në përputhje me zhvillimin e situatës dhe të institucioneve vendore. Ekziston një ndryshim i madh nga 50.000 ushtarë të vitit 1999 dhe 3.500 të sotëm, por në vitet e fundit nuk ka pasur zvogëlim të madh dhe NATO ka konfirmuar përkushtimin e saj ndaj misionit të KFOR-it dhe Ballkanit Perëndimor”, ka konfirmuar ai.
Sipas tij, në forcat paqeruajtëse të KFOR-it kontribuojnë gjithsej 28 kombe të ndryshme të botës.
E ndonëse shpeshherë, Kosova dhe Serbia kanë pasur situata të tensionuara, KFOR-i thekson se ka qenë e mbetet vazhdueshëm në monitorimin e gjendjes.
“Aktualisht janë 28 kombe që kontribuojnë në KFOR. Prej tyre 20 janë në NATO, si dhe 8 janë vende partnere. KFOR-i është plotësisht i angazhuar për të përmbushur misionin e tij dhe për t’u trajnuar vazhdimisht për të mbajtur gatishmëri të lartë për të qenë në gjendje të ndërhyjë sa herë që kërkohet”, thotë Grasso për FaktePlus.
Madje nga KFOR thonë se jo vetëm që nuk ka probleme, porse bashkëpunimet janë të shkëlqyeshme edhe me Forcat e Armatosura të Serbisë.
“Marrëdhëniet me Forcat e Armatosura Serbe janë të shkëlqyera dhe KFOR-i vazhdon të komunikojë rregullisht në nivele të ndryshme në mënyrë që të rrisë mirëkuptimin reciprok, të parandalojë çdo veprim të papritur dhe të garantojë respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Ndonëse tashmë Kosova ka formuar Ushtrinë e saj, zëdhënësi Vincenzo Grasso thekson se KFOR-i do ta ketë misionin e njëjtë në vend.
“Aktualisht NATO-ja është duke shqyrtuar nivelin e angazhimit të saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe diskutimet janë në vazhdim e sipër në Këshillin Veri-Atlantik. KFOR-i mban lidhje me FSK-në dhe vazhdon të kryejë misionin e vet për të garantuar siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Misioni i KFOR-it nuk ndikohet nga diskutimi mbi tranzicionin e FSK-së në ushtri”, thuhet mes tjerash në përgjigje.
Edhe pas aksionit të Policisë së Kosovës që u zhvillua ditë më parë në pjesën veriore, KFOR-i konsideron se situata është stabile.
Grasso thekson se aksioni i 28 majit në veri të Kosovës ishte i ligjshëm dhe se e kanë përcjellë nga afër e tërë situatën.
“Situata në Kosovë është absolutisht nën kontroll, pavarësisht tensioneve të fundit, të cilat mbetën të izoluara në një vend të caktuar dhe shumë të kufizuara në kohë. Ka pasur shumë zhurmë në disa raportime të medieve, të cilat përshkruanin një situatë e cila nuk ishte ashtu në terren. Ajo që ndodhi ishte një operacion legjitim i policisë për zbatimin e disa urdhër-arresteve të lëshuara nga autoriteti gjyqësor në Prishtinë”, është shprehur Grasso.
Sipas tij, operacioni u krye normalisht përveç në një rast, ku Policia e Kosovës hasi në bllokada rrugore dhe u qëllua në një polic, i cili u plagos. Kjo, Grasso thotë se e detyroi policinë që të thërrasë Njësinë Speciale për të ndërhyrë.
Ndër të tjera zëdhënësi shton se KFOR-i ka mbajtur komunikim edhe me institucionet relevante të Serbisë për gjithë ngjarjen e zhvilluar atë ditë në pjesën veriore.
Ndryshe janë 158 ushtarë të NATO-s, që humbën jetën deri sa shërbenin në Kosovë. Ndaj tyre në Prishtinë është ngritur edhe një lapidar, në nderim të misionit dhe kontributit të tyre. Ky lapidar, është ngritur në sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë./FaktePlus