Kujdes, nga nesër hyn në fuqi një vendim i ri për automjete në Kosovë
Përfundimisht nesër do të fillojë së aplikuari pulla mjedisore, e cila do ta bëjë matjen e gazrave të veturave. Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, shefi i kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Argjend Zejnaj.
Ndonëse ky vendim ishte paraparë të fillonte së aplikuari nga muaji shkurt, ai është shtyrë me kërkesë të shumë qendrave të kontrolleve teknike të automjeteve.
Qendrat e kontrolleve patën kërkuar shtyrjen për shkak se ende nuk ishin të pajisura me mjete të duhura dhe se nuk kishin stafin e kualifikuar për të kryer këto shërbime.
Mirëpo, definitivisht nesër do të fillojë së aplikuari ky vendim.
“Prej nesër do të fillojë së aplikuari pulla mjedisore, e cila do të bëjë matjen e gazrave të veturave”, tha Argjend Zejnaj.
E ky vendim obligon të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik të Automjeteve dhe të Homologimit për zbatimin e këtij vendimi.
Me testimin e këtyre gazrave, qytetarëve të Kosovës u shtohet edhe një barrë.
Qytetarët përveç që do të paguajnë kontrollet teknike të automjeteve sipas përcaktimeve të mëhershme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, nga tani do të paguajnë edhe çmimoren për testim të gazrave për secilën kategori të mjeteve motorike, shkruan FaktePlus.
Çmimorja për kategorinë e motoçikletave është 3.50 euro, ndërsa për automjetet nën 3.5 tonë është 5 euro, ndërsa mbi 3.5 tonë është 6 euro.
Çka është pulla mjedisore?
Pulla apo tiketa mjedisore e automjeteve është një shenjë që vendoset në pjesën e përparme të xhamit të automjeteve për të treguar nivelin e emisioneve që emetohen nga automjeti përkatës.
Qëllimi i përdorimit të saj është reduktimi i ndotjes së ajrit nga burimet e lëvizshme duke përcaktuar zona të lejuara apo të ndaluara për qarkullimin e automjeteve varësisht nga niveli i emetimeve të gazrave që lirojnë ato.
Vlen të theksohet se qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë edhe taksën ekologjike që është e aplikuar më se shumë vite nga Ministria e Punëve të Brendshme, kjo taksë paguhet në Qendrat Komunale për Regjistrim të Automjeteve.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë janë mbi 300 mijë vetura të regjistruara. Në këtë shifër sipas MPB-së përfshihen regjistrimet e reja, regjistrimet e përkohshme, vendimet, ri-regjistrimet dhe legalizimet./FaktePlus