Pesë ditë pas shtrimit çahet asfalti, Ministria e Infrastrukturës tregon arsyen
Më 18 maj të këtij viti është asfaltuar rruga që lidh Klinën me komunën e Istogut. Por, asfalti është prishur vetëm pas pesë ditëve pasi është shtruar. Aty janë krijuar disa të çara të mëdha. Zyrtarët nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit arsyetohen se prishja e asfaltit është shkaktuar nga pëlcitja e një gypi afër rrugës dhe nuk bëhet fjalë për cilësi të dobët të asfaltit.
Rruga që lidh Klinën me komunën e Istogut është përfunduar më 18 maj, por ende pa kaluar shumë se pesë ditë nga shtrimi është prishur në shumë vende.
Për këtë komuna e Klinës e fajësoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.
Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Klinës, Lorenc Marleku, i tha FaktePlus se rruga është përgjegjësi e ministrisë (MIT) dhe se këtë shqetësim e kishin adresuar kohë më parë.
“Kjo rrugë është investim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe mbikëqyrjen e bëjnë përfaqësuesit e ministrisë. Ne këtë shqetësim e kemi pas që në ditën e parë dhe është kontaktuar edhe kompania. Por, meqë projekti nuk ka përfunduar, atëherë për këtë pritet të bëhet sanimi i kësaj pjese”, ka thënë Marleku për FaktePlus.
Ndërkaq, Argjend Zejnaj që është këshilltar i ministri të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, në një prononcim për FaktePlus ka thënë se i vetmi shkaktar i dëmtimit të asfaltit është shpërthimi i një gypi dhe nuk flitet për cilësi të dobët apo punë të këqija.
LEXO EDHE: Skandaloze: Në Klinë çahet asfalti që u shtrua para pesë dite (Foto)
Zejnaj ka treguar se për këtë problematikë kanë komunikuar me mbikëqyrësit e projektit dhe se për këtë do të merren masa.
“Një gyp ka shpërthyer dhe shkak i kësaj është bërë edhe qarja e asfaltit. Ne të premten e kemi kontaktu edhe menaxherin i cili ka treguar se si ka ndodhur. Por megjithëkëtë ne do të marrim masa. Por kjo nuk ka të bëjë me cilësinë e dobët apo punët e këqija nga kompania. Tash kompania do ta evitoj problemin dhe gjithçka do të kthehet ashtu siç është planifikuar edhe me projekt”, tha Zejnaj.
Por kjo nuk është rruga e vetme në rrethinën e Klinës që po dëmtohen brenda muajve.
Thuajse çdo asfaltim i rrugës që është bërë kohët e fundit në Komunën e Klinës ka pasur telashe. Por këto nuk ka dashur t’i komentojë Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Lorenc Marleku.
Një muaj më parë Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka raportuar edhe për asfaltimet në disa fshatra të Klinës ku mbiu bari.
LEXO EDHE: Asfalti tjetër në të cilin mbiu bari (Foto)
Agjencia e Lajmeve FaktePlus merr vesh se kompania e kontraktuar për kryerjen e këtyre punimeve është kompania “Shkëmbi” .
Sipas informacioneve kjo firmë gjithashtu e ka shtruar komplet edhe unazën e qytetit te Klinës.
Ndërkaq, vetëm me buxhetin e këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndarë 775 milionë euro për investime kapitale e që gjysma e kësaj shifre është paraparë të shkojë në asfalt.
Nga kjo është parë se përkundër investimeve, edhe pas 20 vitesh Kosova ende nuk i ka plotësisht funksionale standardet infrastrukturore, mbikëqyrjen dhe vlerësimin e impaktit të investimeve, kështu ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Besnik Muçiqi nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.
Këto asfaltime që mund të hiqen edhe me dorë, sipas Muçiqit po vijnë për shkak të investimeve ad-hoc e pa standarde, me operatorë shpesh të pandërgjegjshëm dhe pa kapacitetet, si dhe me mbikëqyrje të dobët.
“Siç e theksova më lartë, problemet janë të ndërvarura, në shumicën e rasteve niveli qendror nuk ka kritere për investime në nivelin lokal dhe për rrjedhojë kjo i vendos komunat në vështirësi, duke planifikuar ad-hoc. Në shumë raste komunat hyjnë në marrëveshje me operatorët ekonomikë në zotime shumëvjeçare. Ndërkaq në buxhetin e ministrive ato projeksione tërhiqen dhe për pasojë komunat përballen me përmbarues. Ndërkaq, në rrugët lokale komunat ballafaqohen me kërkesa të vazhdueshme për rrugë të lagjeve dhe për rrjedhojë, aty shfaqen problemet: E para, mungesa e planifikimit të banimit. Kjo shtyn në copëzimin e investimeve pa pasur mundësinë të bëhet vlerësimi kost-benifit dhe të ndiqet strategjia zhvillimore komunale”, tregon Muçiqi.
Veç kësaj, Muçiqi thotë se kjo ka të bëjë edhe me planifikimin jo të mjaftueshëm të mjeteve për përmbylljen në tërësi të infrastrukturës. E si rrjedhojë e kësaj duhet të bëhen intervenimet e njëpasnjëshme të cilat dëmtojnë njëra tjetrën.
“Sa i përket cilësisë, dhe fillimisht planifikimi i investimeve është i dobët e përtej kësaj parimi i çmimit më të lirë, operatorët e papërgjegjshëm dhe mungesa e standardeve dhe mbikëqyrjes e bënë këtë situatë të jetë e tillë”, tha Muçiqi.
E përgjegjësia për krejt këtë mbetët ende pa një adresë. Asnjë institucion nuk merr përgjegjësi për barin që po lulëzon asfalteve.
Megjithkëtë, Muçiqi shpjegon se janë tre elemente bazë që duhet të ndodhin për të ndryshuar këtë situatë.
“Janë tri elemente kyçe që duhet të ndodhin për të ndryshuar këtë situatë: E para duhet pasur parasysh se Kosova tashmë pothuajse ka rrumbullakuar infrastrukturën, investimet e ministrive të linjës të bazohen mbi kritere të qarta, ndërkaq investimet në komuna të bazohen në parametrat e planifikimit zhvillimor dhe strategjik, si dhe t’i shmangen investimeve të coptëzuara dhe ad-hoc. E dyta, Kosova duhet të integrojë parametrat evropian të standardeve dhe cilësisë në të gjitha investimet publike. Dhe e treta, buxhetimi duhet të jetë mbi parametrat e standardeve dhe cilësisë, duke pamundësuar qasjen e operatorëve të papërgjegjshëm”, shpjegon Muçiqi.
Më tej, ai thekson se në kuadër të kësaj e rëndësishme është të ketë kompani vlerësuese të specializuara dhe të pavarura të mbikëqyrjes së investimeve.
Pas lulëzimit të barit, ndahen 1.5 milion për kontrollin e cilësisë
Për asfaltin që po shtrohet shkele e shko, e mbi të cilin po lulëzojnë barishtet, e tregojnë më së miri rrugët që u shpërfaqën këto ditë në Klinë, Deçan, Shtime e Skenderaj. Rrugët e këtyre komunave, por edhe të tjerave, tashmë kanë filluar të shndërrohen në “kopshte”.
Por, edhe ky problem do të zgjidhet në kurriz të qytetarëve, pra me paratë e tyre. Ministria e Infrastrukturës ka shpallur tender në vlerë prej 1.5 milion euro për kontrollin e cilësisë së rrugëve në gjithë vendin.
Vetëm pesë muaj pas asfaltimit të rrugës Çabiq-Ujmirë në Klinë, bari tashmë ka mbirë në asfalt, ani pse për ndërtimin e kësaj rruge janë shpenzuar hiç më pak se 92 mijë e 238 euro.
Ndërkohë që prej 2 mijë e 43 kilometra rrugë sa ka tërë Kosova, vetëm 70 kilometra rrugë kanë mbetur pa asfalt. Shumica e tyre janë rrugë rajonale.
Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë treguar se në total rrugë të paasfaltuara, qoftë nacionale apo rajonale janë 75.2 km.
“Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e autostradave, rrugëve nacionale dhe rajonale. Rrugë nacionale të paasfaltuara janë vetëm 1.9 km, ndërsa rrugë rajonale të paasfaltuara janë 73.3 km”, ka thënë nga ministria./FaktePlus