Oda Amerikane: Rritja e pagës minimale mund të përkeqësojë papunësinë
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka përsëritur qëndrimin e saj se paga minimale në Kosovë duhet të jetë reflektim i parametrave ekonomikë në vend dhe se s’duhet të ndryshohet pa marrë për bazë aftësinë konkurruese të sektorit privat.
Ky reagim i OEAK-së vjen pas thirrjeve të reja partive politike për rritje të pagës minimale edhe në sektorin privat.
OEAK vlerëson se rritja e pagës minimale mund të përkeqësojë edhe më shumë papunësinë në mesin e të rinjve si dhe punëtorëve me shkathtësi më të ulëta, që zakonisht bëjnë pjesë në grupin e përfituesve të pagës minimale.
Oda Ekonomike Amerikane e vë theksin se ky përkeqësim mund të vjen fare lehtë duke marrë për bazë të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se Kosova ka një normë të lartë të papunësisë në mesin e të rinjve me mbi 55%”.
“Oda Amerikane beson se fuqia e lirë punëtore është një ndër faktorët kryesorë që ndikon jo vetëm në konkurrueshmërinë e bizneseve, por edhe në përpjekjet e Kosovës për të tërhequr investime të huaja direkte”, thuhet në njoftim.
Mes tjerash OEAK ka bërë thirrje drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës që të shmangin vendimet të cilat mund të nxisin përkeqësimin e indikatorëve të tillë me çdo kusht, pavarësisht përfitimeve afatshkurtra./FaktePlus