Gjashtë të vrarë në një kishë të Burkina Fasos
Burimet e sigurisë dhe një zyrtar lokal njoftuan se disa persona të armatosur i vranë një prift dhe pesë besimtarë gjatë meshës në një kishë katolike të Burkina Fasos.
“Rreth orës 9 sipas kohës lokale, persona të armatosur kanë hyrë në kishën katolike”, tha Ousmane Zongo, kryetar i qytetit verior të Dablos. “Ata filluan të qëllojnë me armë zjarri dhe njerëzit brenda kishës u përpoqën të ikin”, shtoi ai.
Besohet që në këtë sulm morën pjesë rreth 20 deri 30 sulmues. Pasi i vranë pesë besimtarë dhe priftin, sulmuesit ua vunë flakën kishës, disa dyqaneve dhe një kafeneje. Më pas, ata shkuan në një qendër shëndetësore lokale dhe e dogjën një veturë.
“Ekziston një atmosferë e panikut në qytet. Njerëzit janë mbyllur në shtëpitë e tyre, asgjë nuk po zhvillohet. Dyqanet janë të mbyllura. Praktikisht jemi në një qytet fantazmë”, shtoi kryetari Zongo.
Ky sulm ndodhi dy ditë pasi forcat speciale të Francës liruan katër pengje të huaja në veri të këtij shteti, me ç’rast dy ushtarë francezë u vranë gjatë përleshjes së armatosur me rrëmbyesit.
Ky operacion u ndërmor për t’i liruar pengjet franceze Patrick Picque dhe Laurent Lassimouillas, të cilët ishin zhdukur gjatë kohës së pushimeve në një park kombëtar të këtij vendi, shkruan “The Guardian”.