Këngëtarët paguhen “çmendurisht” e bëjnë jetë luksoze, por paguajnë pak tatim
Grumbuj me para të përfituara nga bakshishet nëpër dasmat tradicionale kosovare, përveç pagesës së caktuar për të kënduar gjatë natës festive, janë fitimet e pallogaritshme që këngëtarët marrin në ahengje e koncerte gjatë tërë vitit, e sidomos gjatë sezonës së verës.
Fitimet e këngëtarëve kosovarë gjatë vitit, për përformancën e tyre janë marramendëse. Ata për një natë, më saktësisht për disa orë që përformojnë edhe fitojnë me mijëra euro.
Shpeshherë është pohuar se këngëtarët po paguhen për të kënduar pak orë në natë nga 4,000 e deri 5,000 euro. Madje, menaxherët e tyre, në të kaluarën kanë dhënë shifra që kanë shkuar deri në 7,000 euro në natë për këngëtarë të caktuar.
Bazuar në tregun e vendeve të rajonit, del që më mirë të paguar janë këngëtarët nga Kosova, tarifat për të cilët në të shumtën e rasteve janë marramendëse ashtu edhe siç u theksua më lartë.
Ndonëse këto shifra rrallë janë bërë publike në formë zyrtare, një gjë të tillë e dëshmojnë më së shumti luksi dhe jeta e shtrenjtë që ata i ekspozojnë, shpesh në klipet e tyre, por edhe në rrjetet sociale personale.
E këngëtarë si Ledri Vula, Tayna, Ghetto Geasy, Capital T, Nora Istrefi, Dafina Zeqiri, Mozzik, Getinjo, Kida, Meda e shumë të tjerë, janë ndër emrat që pëlqehen më shumë nga publiku e thuhet se paguhen mirë.
Për shembull është thënë shpeshherë se nga 4 mijë, 5 mijë e më shumë paguhet Dafina Zeqiri për të kënduar vetëm disa orë në një natë, e kështu edhe Meda, Capital T etj, shkruan FaktePlus.
Sa i kryen estrada obligimet tatimore për paratë e fituara?
Nga të dhënat statistikore që ka siguruar Agjencia e Lajmeve FaktePlus, shihet se këngëtarët dhe muzicientët kosovarë nuk kanë paguar aq shumë tatim për fitimet e mëdha që marrin.
E sipas ligjeve në fuqi, thuhet se në rast që personat në fjalë nuk e kryejnë një obligim të tillë, do të merren masa konkrete.
“Dispozitat ligjore mundësojnë që për të gjitha ata tatimpagues, në këtë rast këngëtarët, në rast se nuk i kryejnë obligimet e krijuara në ATK, atëherë personave në fjalë me kërkesë të ATK-se u bllokohen llogaritë bankare, u vihet ndalesa në kufi, si dhe u konfiskohet pasuria e tyre”, thuhet në përgjigjen e Administratës Tatimore të Kosovës.
Nga ATK-ja kanë bërë të ditur se deri në gjysmë milion euro i kanë paguar shtetit tatim gjithë këngëtarët kosovarë në vitin 2017, e po aq edhe në vitin 2018.
“Për vitin 2017 kemi pas të hyra nga kategoria e këngëtarëve/muzicientëve mbi gjysmë milioni euro. Po ashtu, edhe për vitin 2018 kjo kategori e tatimpaguesve kanë deklaruar dhe paguar 506,622 euro”, thuhet në përgjigjen e ATK-së për FaktePlus.
Zyrtarë nga ATK-ja po ashtu kanë bërë të ditur se në periudhën e parë të vitit 2019, nga këngëtarët ATK ka mbledhur më shumë se 200 mijë euro.
“Të hyrat për periudhën e kërkuar (Janar-Prill 2019) janë në vlerë prej: 258,517 duke përfshirë aktivitetet si vijon, në të cilat kemi identifikuar si Aktivitetet mbështetëse për shfaqje artistike, krijimtari artistike, aktivitete të argëtimit dhe rekreacionit, shfaqje artistike, këngëtarë, dhe muzicient”, bëhet e ditur nga ATK.
Tutje në përgjigje theksohet se në se rastet kur këngëtarët nuk paguajnë obligimet tatimore edhe u vendosen ndëshkimet sipas ligjit.
“Për të gjitha rastet kur kemi konstatuar shmangie nga tatimi kemi vendos ndëshkim sipas ligjit nr. 03/L-222 për procedurat tatimore, siç janë bllokimi i llogarive bankare, mandej u vihet ndalesa në kufi, si dhe u konfiskohet pasuria e tyre”, thuhet nga ATK.
Ndryshe, në vitin 2015, Prokuroria e Shtetit pati nisur një hetim për disa këngëtarë që e kishin shmangur pagesën e tatimit ndaj shtetit.
Si do qoftë, ky biznes që konsiderohet ndër më fitimprurësit vazhdon të jetë ende i pa rregulluar mirë dhe në të shumtën e rasteve pagesat për tatimin në fitim bëhen sipas vetëdeklarimit./FaktePlus