Në 20 vjetorin e vrasjes së Prof. Dr. Fehmi Agani
Shkruan: Prof.Dr.Myhedin Jupa
Ardhja e Dr. Fehmi Aganit në përditshmërinë shqiptare lidhet drejtpërdrejtë me periudhat më të rënda që ka përjetuar Kosova. Ndarjet dhe ripushtimet e tokave shqiptare nga sllavet dhe të tjerët në luftërat ballkanike, Agani i shihte si një prej burimeve kryesore për tragjeditë, shkatërrimet, gjenocidet e ricikluara në Kosovë dhe në viset shqiptare të ish-Jugosllavisë.
I formuar në traditat e mëdha të humanizmit dhe të mendimit shoqëror, me synim themelor çlirimin e njeriut, profesor Agani ngulte këmbë në kërkimin e hapësirave të reja për zgjerimin e të drejtave shoqërore e kombëtare të shqiptarëve, me synim barazimin me të tjerët. Konsideronte se për të arritur deri aty, duhej një punë e gjatë e shumë elementeve të bashkuar dhe konvergjues, duhej përgatitje dhe një bashkim i energjisë kombëtare në një rrugë të drejtë.
E revoltonte qëndrimi i kuazi-demokratëve dhe mbrojtësve të arsyeve të imponuara nga bota, sipas të cilit qëndrim, megjithë realitetet etnike, kombëtare, historike, shoqërore, gjuhësore, demografike dhe kulturore shqiptarët e ish-Jugosllavisë duhej të mbeteshin të ndarë në më shumë shtete dhe gjithandej pakicë.
Prof. Agani ishte ideatori kryesor në hartimin e të gjitha dokumenteve të rëndësishme për lëvizjen politike në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta, sidomos në hartimin e atyre dokumenteve që kanë peshë dhe vlerë ndërkombëtare. Profesori mendonte se zgjidhja e çështjes së Kosovës paraqet vetëm një pjesë të zgjidhjes së çështjes madhore të pazgjidhur shqiptare, e cila është një tërësi e ndërlidhur edhe me çështje të tjera në Ballkan.
Profesor Agani ishte ndër ata që e krijuan një sistem politik të shqiptarëve të Kosovës, sistem i cili duhej dhe mundua t‘i kundërvihej zhdukjes kolektive të popullitt tonë. Para luftës u mundua shumë për arsimin kosovar, ndërsa gjatë luftës derisa ishte gjallë ishte një faktor shumë unifikues. Ishte ideator i shumë marrëveshjeve, bashkues i faktorit pacifist dhe ushtarak shqiptar. Njëri ndër njerëzit kyq në marrëveshjen e Rambujes, njeri i paqes dhe ndër personat më të besuar të presidentit Rugova.
Këto dhe shumë cilësi të tjera që posedonte, ishin ndër arsyet kryesore të vrasjes së tij nga policia serbe, polici e një regjimi fashist, i cili synonte të zhdukte çdo gjë shqiptare në Kosovë.
Prof. Fehmi Agani u vra tash 20 vjetë më parë. Një gjë është për tu habitur, si është e mundur që askush nga faktori i jashtëm dhe i mbrendshëm nuk ndërmori asgjë për të sqaruar rrethanat e vrasjes së tij dhe vrasësit të dënohen.
Pyetje, që ndoshta historia do ta sqaroj: a ishte e mundur të parandalohej nga të huajt dhe nga shqiptarët vrasja e profesorit?
Prof. Agani për një decenie të tërë ishte njeriu më aktiv në lëvizjen tonë për liri dhe pavarësi. Në këtë 20 vjetor të vrasjes së tij ndjejmë dhembje për humbjen e tij fizike , por edhe krenari të madhe për veprën e tij kombëtare.
Me humbjen e profAganit populli shqiptar mbeti pa njërën ndër kokat më të mençuara të shekullit!