Shell ofron derivate të naftës me çmim më të lirë për fermerët e Kosovës
Fermerët e Kosovës tani e tutje do të mund të marrin derivate të naftës me çmim më të lirë në mbi 60 pika të shitjes tek Kompania Shell.
Kjo është bërë e mundur pasi tashmë ka filluar implementimi i marrëveshjeve të Kompanisë Shell nëpër komunat e Republikës së Kosovës, me ç’rast fermerëve u ofrohen çmime më të lira të derivateve të naftës.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Shitjes në Kompaninë Shell Kosova, ku dhe kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit, ndërmjet Komunave dhe kompanisë në fjalë.
“Marrëveshje parasheh zbritje të çmimit të derivateve të naftës, për të gjithë bujqit dhe fermerët e komunave të Kosovës, për aktivitetet e tyre bujqësore, çka tregon përkushtimin që bujqit tanë të ndihmohen në forma të ndryshme”, ka njoftuar kompania Shell.
Më saktësisht marrëveshjet u mjundësojnë të gjithë bujqve dhe fermerëve të furnizohen në mbi 60 pika të Shell-it në tërë Kosovën.
Zyrtarët e kompanisë Shell kanë thënë se të gjithë fermerët që ndodhen në regjistrat zyrtar të Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, do të përfitojnë çmim për 5 cent më lirë për litër, sesa çmimi i tregut.
Kurse drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sokol Sallahu, ka thënë se të gjithë fermerët së shpejti do të njoftohen me detajet e nevojshme, për të aplikuar për mundësinë e lirimit në bazë të kësaj marrëveshjes.
Kujtojmë se ka qenë kërkesë e kamotshme që fermerëve të Kosovës t’u ofrohen çmime më të lira të derivateve të naftës dhe kjo tashmë do të jetë e mundur në kompaninë Shell./FaktePlus