Këto janë komunat që janë prekur më së shumti nga pickimi i rriqërave, mësoni si të mbroheni
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një komunikate ka bërë thirrje për qytetarët që të mbrohen nga pickimi i rriqrave sepse mund të sjellin ethet vdekjeprurëse.
Ndërsa sipas këtij institucioni komuna me rastet më të mëdha nga pickimi i rriqrave është Malisheva me 120, pasuar nga Suhreka.
“Në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes. Numri i të pickuarëve ka arritur në 120 në komunën e Malishevës, 76 raste në komunën e Suharekës, 33 raste në komunën e Klinës dhe 28 raste në komunën e Rahovecit si pasojē e qëndrimit në livadhe të pa kositura, shkurre dhe shtalla dhe veshmbathjes jo adekuate”, shkruhet në komunikatë, përcjellë Indeksonline.
Instituti gjithashtu ka bërë të ditur se ekipet profesionale po bëjnë repelimin e kafshëve. Ndërsa kanë dhënë edhe këto rekomandime për qytetarët për këtë vit:
- Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
- Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
- Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
- Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
- Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
- Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
- Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
- Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
- Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.