“Pastrimi” në prag të kolapsit, punëtorët mund të mbesin pa paga e qytetarët t’i mbulojë bërllogu
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” është në prag të kolapsit për shkak të bllokimit të xhirollogarive bankare. Kjo kompani nuk di nëse mund të paguajë 600 punëtorët e saj, e rrjedhimisht edhe të kryej aktivitetet e përditshme për mbledhjen e mbeturinave. Kështu qytetarët e gjithë rajonit të Prishtinës ka rrezik që për pak ditë të mbulohen nga bërllogu.
Kanë kaluar disa ditë prej kur Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” i ka të bllokuara xhirollogaritë e saj dhe asnjë institucion nuk ka ndërmarrë asgjë për këtë çështje.
Kështu po rrezikohen të mbesin pa paga 600 punëtorët e kompanisë, e rrjedhimisht gjithë rajoni i Prishtinës pas disa ditëve mund të mbulohet nga bërllogu.
Krejt ky bllokim ka ardhur si shkak i borxhit të madh prej mbi 2 milionë euro që Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” i ka ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës.
Kompania në fjalë ka bërë të ditur se e ka të pamundur shlyerjen e borxhit, pasi që një shumë e konsiderueshme është trashëguar ndër vite dhe tani nuk kanë ato para që t’i paguajnë.
E meqë jemi në fund të muajit, 600 punëtorët e Kompanisë “Pastrimi”, rrezikojnë që të mbesin pa paga për muajin prill.
Zyrtarë nga kjo kompani i kanë thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se nëse vazhdohet me mbajtjen të bllokuar të xhirollogarive ka rrezik që edhe qytetarët të mbesin edhe pa shërbimet e tyre në grumbullimin e mbeturinave.
“Ka disa ditë që është bllokuar xhirollogaria jonë, e sigurisht që mund të ketë vështirësi të jepen pagat e punëtorëve, sepse tashmë jemi edhe në fund të muajit. Po ashtu ka rrezik që mos të mundemi të realizojmë aktivitetet ditore që i bëjmë për pastrim, pasi na nevojiten edhe derivate dhe në momentin që përfundojnë derivatet, sigurisht që do të ndërpritet edhe puna jonë dhe nuk do të mund të mbledhim mbeturinat në qytet. Ne po presim një zgjidhje dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim”, ka thënë për FaktePlus zëdhënësja e Kompanisë Rajonale “Pastrimi, Arbnora Ademi.
Nga kompania “Pastrimi” bëhet e ditur se vlera e borxhit që kanë ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, ka arritur në 1 milion e 394 mijë e 449 euro.
Sipas tyre, ky borxh është i trashëguar ndër vite që nga koha e pasluftës, ndërsa kompaninë e ka rënduar edhe tarifa e kamatës ligjore që është 732 mijë e 601 euro.
Zyrtarët nga kompania “Pastrimi” thonë se borxhi dhe kamata janë llogaritur padrejtësisht, duke e rënduar kështu edhe më shumë gjendjen financiare të kompanisë me një borxh prej 2,157,419.1 euro.
“Ky borxh është grumbulluar/trashëguar ndër vite për arsye se qytetarët nuk kanë paguar Kompaninë ‘Pastrimi’, për shërbimin e mbeturinave pavarësisht që ne kemi kryer shërbim , KMDK ka dërguar Kompaninë ‘Pastrimi’, tek përmbaruesi duke bllokuar te gjitha xhirollogaritë bankare te Kompanisë”, ka bërë të ditur Kompania “Pastrimi”.
Kjo kompani u ka bërë thirrje urgjente institucioneve shtetërore që të marrin masa dhe ta ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate në të cilën gjenden, pasi rrezikohen të mbesin pa paga 600 punëtorë dhe të mos mblidhen mbeturinat./FaktePlus