Trajneri i Barcelonës ka dy fjalë Liverpoolin para gjysmëfinales në Champions
Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka theksuar se Pep Guardiola është më i miri në botë në profesionin e tyre. Kampionët e Premier League u eliminuan nga Champions-i prej Tottenhamit, pas një çerekfinaleje kthimi dramatike e të jashtëzakonshme.
Guardiola është ballafaquar me disa kritika, pas dështimit në kompeticionin madhor europian, që pas largimit nga Barcelona. Me këtë të fundit e fitoi dy herë këtë trofe të shumëlakmuar.
Sidoqoftë, Valverde i doli në mbrojtje kolegut të vet katalanas, duke besuar se filozofia e Barcelonës në Angli, që zbaton Guardiola, do të jetë e suksesshme edhe atje. Ai shpreson se Pep mund ta udhëheqë ende Manchester City drejt një suksesi të trefishtë në këtë sezon. Për të, trajneri i “qytetarëve” është ende më i miri në botë.
“Për mua, trajneri më i mirë është Pep Guardiola. Nuk kam dyshim për këtë, edhe nëse u eliminua nga Liga e Kampionëve”, tha ai.
Barcelona do të përballet me Liverpool në gjysmëfinale të Champions-it, ndërsa pret të zyrtarizojë titullin e La Liga-s. Këtë të shtunë, katalanasit do të sfidojnë Real Sociedad. Valverde ishte i shpejtë për të vënë në dukje rreziqet e përballjes me “Reds” e Jurgen Klopp:
“Vitin e kaluar, ata ishin në finale, këtë sezon po bëjnë mjaft mirë në Europë. Po ashtu, Liverpool po lufton të fitojë titullin në Premier League. Pra, është një kundërshtar shumë i fortë për ne, por një përplasje tërheqëse për të gjithë. Finalja është në horizont dhe ne do të bëjmë gjithçka për të fituar”, u shpreh Valverde. /FaktePlus