Ministri Abelard Tahiri tregon sa persona u kthyen nga Siria
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se mbrëmë me një aeroplan janë kthyer 110 persona nga Siria, duke përfshirë gra dhe fëmijë.
Në mesin e të kthyerve janë katër luftëtarë, 35 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë.
“Në orët e para të mëngjesit është zhvilluar një operacion ku Kosova me ndihmën e SHBA-së ka kthyer 110 qytetarë që kanë qëndruar në Siri. Kosova ka qenë e suksesshme për parandalimin e shkuarjes së qytetarëve në zonat e luftës. Ne ende jemi duke u marrë për kthimin e atyre që kanë qenë në vatrat e luftës”, tha Tahiri në konferencë për media.
Ministri Tahiri theksoi se institucionet e shtetit po iu ofrojnë ndihmë të gjithë të kthyerve nga zonat e luftës.
“Institucionet po i trajtojnë dhe i ofrojnë ndihmë të gjithë të kthyerve. Ndërsa, të gjithë ata që kanë kryer vepra penale në zonat e luftës do të dalin para drejtësisë dhe do të dënohen konfrom ligjeve. Operacioni ka filluar që nga tetori i vitit të kaluar në bashkëpunim me disa institucione. Qëllimi ynë është që të sigrojmë që qytetarët tanë të mos marrin pjesë në konfliktet e huaja por edhe që të kthehen në vendin tonë”, shtoi ai.
Tahiri ka shtuar se mesazhi i tyre si institucione është i qartë se Kosova do të vazhdojë më parandalimin e terrorizmit.
“Këto gra që kanë qëndruar meritojnë rehabilitim, ndërsa fëmijët e kanë vendin në shkolla. Fëmijët kanë kaluar një traumë ne do të marrim përpsipër kujdesin që ta tejkalojnë”, u shpreh Tahiri.
Ndërkaq, drejtori i policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se ende ka persona që janë në zonat e konfliktit.
“Kemi informata për 30 luftëtarë që janë ende atje. Në mesin e tyre janë 49 gra dhe 8 fëmijë”, tha ministri Tahiri. /FaktePlus