Rreth 180 të vrarë e 800 të lënduar nga luftimet në Libi
Përafërsisht 180 njerëz janë vrarë gjatë sulmit të forcave të gjeneralit Khalifa Haftar në Tripoli, ndërsa katër civilë janë vrarë vetëm natën e kaluar gjatë një bombardimi në kryeqytetin e Libisë.
Më shumë se 800 njerëz janë plagosur që prej kohës kur udhëheqësi ushtarak që e kontrollon lindjen e vendit filloi përpjekjet për ta marrë kontrollin e qytetit nga qeveria e njohur nga Kombet e Bashkuara.
Banorët e Tripolit thanë se e përjetuan një natë të tmerrshme për shkak të sulmeve me raketa që prekën të gjitha pjesët e qytetit dhe shpërthimeve që u dëgjuan afër qendrës së tij.
“I kam dëgjuar shpërthimet e bombave këtë mëngjes. Çfarë? Kush? Si? Mund t’i dëgjoj edhe aeroplanët në ajër. Nuk e di sa larg janë dhe nuk dua ta di”, ka shkruar një banor i Tripolit në Twitter.
Qeveria libiane i dënoi sulmet e Haftarit dhe i cilësoi ato si barbare. “Sulmet e paplanifikuara dëshmuan se forcat e tij nuk kanë asnjë pikë njerëzie”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Kryeminsitri Fayez al-Sarraj i vizitoi disa nga vendet e goditura nga raketat dhe i shpalli tri ditë zie për t’i nderuar viktimat e këtyre sulmeve. Ai tha se dëshmitë e sulmeve brutale në lagjet e banuara me civilë do të dërgohen në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Libi, Ghassan Salame, tha se mbrëmë ishte një natë e tmerrshme e sulmeve në lagjet civile, duke bërë thirrje që të ndalen sulmet për hir të tre milionë qytetarëve të Tripolit, shkruan “The Guardian”,