Orët e fundit për kazinotë, a do ta nënshkruaj Thaçi ligjin
Dy vdekjet në kazino që ndodhën në muajin mars, bënë që Kuvendi i Kosovës të votonte shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit. Këtë kërkesë të Kuvendit që t’iu vihet dryni kazinove e miratoi menjëherë edhe Qeveria e Kosovës.
Ndryshimi i Ligjit për Lojërat e Fatit ka mbetur në duar e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ligji për Lojërat e Fatit i ka shkruar Presidencës me 8 Prill. E tash, Presidenti Thaçi ka afat vetëm deri nesër në ora 24:00 që ta dekretoj apo jo Ligjin për Lojërat e Fatit.
Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se deri nesër ka afat ligjor për dekretimin e këtij Ligji.
“Deri nesër në ora 24:00 ka afat ligjor”, ka thënë Behramaj.
Edhe në Agjencinë Tatimore të Kosovës kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se Ligji ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Kosovës.
“Ligji ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Kosovës”, është përgjigjur zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa.
Ndërkaq ligjet, vendimet dhe aktet tjera të cilat miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet për dekretim presidentit, i cili ka kohë tetë ditë për ta nënshkruar.
Nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit. Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë.
Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.
Por, nëse presidenti brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, Ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e tij.
Ditë më parë, prokuroria ua ka ngrirë llogaritë bankare për tri ditë (72 orë) pronarëve të bizneseve të lojërave të fatit. Kështu pati konfirmuar kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu.
Ai ka thënë se askush nuk ka dhënë asnjë sqarim për ngrirjen e parave në banka. Përveç llogarive biznesore atyre ua kanë mbyllur edhe llogaritë rrjedhëse private.
Numri i bizneseve të cilat ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit është i madh. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për ndalimin e këtyre lojërave, në Kosovë do të mbyllen 306 njësi të lokaleve të bastit, 133 lokale me Automate dhe 6 lokale me veprimtarinë Bingo.
“Numri i Bizneseve të Licencuara në Veprimtarinë e lojërave të fatit është gjithsej 46 subjekte: 23 me veprimtari baste, 17 me veprimtari Automate dhe 6 me veprimtari Bingo. Kazino nuk ka të licencuar. Në veprimtarinë me baste janë gjithsej 306 njësi të Basteve/lokaleve. Në veprimtarinë Automate janë gjithsej 133 lokale. Në veprimtari me Bingo janë 6 lokale”, ka thënë Bytyqi-Sefa.
E tërë situata për mbylljen e lojërave të fatit dhe shfuqizimin e Ligjit i cili ua lejon atyre veprimtarinë në vend, ka ardhur pas dy vrasjeve që janë bërë gjatë muajit mars pikërisht në lokale të lojërave të fatit./FaktePlus