Berisha nga 42 premtimet, në realizim i ka mbi 20 sosh, 8 të përfunduara
Qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës, duke përfshirë edhe fshatrat shumë shpejt do të bëhen me ujë të pijshëm për 24 orë. Kështu së paku thotë kryetari i kësaj komune, Burim Berisha. Ai në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka pohuar se gjatë këtij mandati qeverisës janë duke u realizuar premtimet e bëra gjatë fushatës së zgjedhjeve komunale në vitin 2017.
Sipas kryetarit Berisha, fusha në të cilën është investuar mjaft shumë dhe është planifikuar të vazhdohet me investime është ajo e arsimit.
“Për vitin 2019 janë ndarë mbi 500 mijë euro si dhe janë planifikuar të ndahen mbi 700 mijë euro për vitin e ardhshëm. Po ashtu vitet tjera do të investohet edhe më shumë”, ka thënë mes tjerash Berisha.
Berisha i cili është në mandatin e tij të katërt si kryetar komune, thotë se nga 42 premtimet e bëra në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2017, ka realizuar 8 sosh, kurse 20 prej tyre janë në realizim e sipër, ndërsa 14 premtime të tjera nuk kanë filluar ende.
Sa i përket barazisë gjinore, i pari i Fushë Kosovës, thotë se 60 për qind e raportit të të punësuarve në këtë komunë, janë gra. Sipas tij, kjo përqindje e grave të punësuara është në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe administratë.
Ndërkohë për Fushë Kosovën, problem tash e sa vite vazhdon të jetë vija kufitare me Komunën e Prishtinës. E kryetari Berisha thotë se kjo çështje është ende e hapur.
Intervista e plotë me kryetarin Burim Berisha:
FaktePlus: Qytetarët ju kanë dhënë mandatin e katërt për të drejtuar komunën. A jeni lodhur me këtë punë?
Burim Berisha: Qytetarët na kanë dhënë mandatin e katërt. Është punë e lodhshme, por kemi ende shumë punë për të bërë.
FaktePlus: Në fushatën e zgjedhjeve komunale 2017, keni bërë një sërë premtimesh. Sa prej tyre janë realizuar?
Burim Berisha: Për premtimet e bëra në 2017, e që nuk janë të pakta, një pjesë të tyre e kemi realizuar, një pjesë jemi duke e realizuar, dhe një pjesë të tyre do ta realizojmë në 2-3 vitet e ardhshme. Shpresojmë që qytetarët do të jenë të kënaqur në fund të mandatit.
FaktePlus: Janë premtuar mbi 1 milion euro investime në arsim. Çfarë është bërë në këtë drejtim, a i jeni afruar 1 milionëshit?
Burim Berisha: Në vitin 2018, për arsim janë ndarë 490,000.00 €, në vitin 2019 për arsim janë ndarë 575,000.00 €, në vitin 2020 për arsim janë planifikuar 710,000.00 €, ndërsa në vitin 2021 janë planifikuar 610,000.00 €. Këtu nuk janë të përfshira edhe ndërtimi i 7 sallave të sportit nëpër shkolla.
FaktePlus: Me cilat investime që janë bërë gjatë këtij mandati mund të krenoheni?
Burim Berisha: Investimet më të rëndësishme në këtë mandat janë në Arsim, Shëndetësi, Infrastrukturë, Ambient, Sport, Kulturë etj. Vitin e kaluar kemi realizuar mbi 100 projekte. Këtë vit Fushë-Kosova do të bëhet me ujë 24 orë. Është duke u ndërtuar trafoja e 110 KV dhe do të plotësojë nevojat me energji elektrike. Do të punojmë në zgjidhjet më të mira për trafikun. Jemi duke punuar në Hartat Zonale e shumë projekte të tjera.
FaktePlus: Sa janë të përfaqësuara gratë në qeverisjen tuaj komunale?
Burim Berisha: Ne i kushtojmë rëndësi barazisë gjinore – fuqizimit të gruas në vendimmarrje. Punësimi i grave është shumë i lartë në Arsim, Shëndetësi dhe Administratë Komunale. Në përqindje raporti është 60 % gra, 40 % meshkuj.
FaktePlus: E diskutueshme dhe kontestuese ka qenë vija ‘kufitare’, mes Prishtinës dhe Fushë Kosovës. A dini tash ku e keni kufirin dhe deri ku po veproni ju si autoritete komunale?
Burim Berisha: Sa i përket vijës kufitare në mes të Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, kjo çështje është ende e hapur.