Veprimet antiligjore të Ekipit Negociator
Ekipi Negociator i Kosovës nuk po ndalet së punësuari njerëz në ekipet profesionale dhe teknike që do t’i ndihmojnë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. Por, punësimet e veprimet tjera të këtij ekipi po konsiderohen kundërkushtetuese nga zyrtarë të partive opozitare dhe njohës të Kushtetutës.
Megjithatë, ky projektligj ende nuk ka hyrë në fuqi, pasi i njëjti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare, meqë kanë vlerësuar se përmban nene kundërkushtetuese.
E, derisa ky projektligj nuk hynë në fuqi, partitë opozitare dhe njohësit kushtetues vlerësojnë se çdo veprim i Ekipit Negociator është anti-ligjor dhe anti-kushtetues.
Mirëpo, Ekipi Negociator pavarësisht kësaj po vazhdon të veprojë qoftë në kompletimin e stafit përcjellës ashtu siç e parasheh edhe projektligji, ani pse ai ende nuk është në fuqi.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se të gjitha veprimit e këtij ekipi dhe trupave të saj janë antiligjore dhe antikushtuese, përderisa nuk është në fuqi projektligji i cili e rregullon mënyrën e funksionimit të tij.
“Shikoni rezolutën që kanë miratuar, aty thuhet që mandati i ekipit do të përcaktohet me ligj, pra ata mandatohen vetëm kur ligji të hyjë në fuqi, ligji nuk ka hyrë në fuqi. Ato ekipet koordinatore, e çka po quhen të dajallarëve e tezakëve, ato po ashtu janë të parapara me ligj. Ekipi i koordinatorit, ekipet punuese, të gjitha ato janë të parapara të formohen vetëm pas miratimit të ligjit, e jo paraprakisht. Ligji nuk ka hyrë akoma në fuqi pasi është në Kushtetuese. Prandaj çdo veprim i deritanishëm i ekipit negociator në kontekst është i kundërligjshëm”, ka thënë Osmani.
Të kundërligjshme të gjitha veprimet e këtij ekipi po i vlerëson edhe eksperti i Kushtetutës, profesori Mazllum Baraliu, i cili tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se ekipi nuk do duhej të vepronte asgjë derisa kushtetuesja të merrte ndonjë vendim për pranueshmërinë ose jo të kërkesës së opozitës.
“Në aspektin moral dhe politik do duhej pritur derisa Gjykata Kushtetuese ta pranojë ose jo kërkesën, pra dhe të sjellë ose jo masa të përkohshme dhe në fund deri sa të vendos në afat prej 60 ditëve. Pra, ishte dashur të heshtet, të mos veprohet. Mirëpo nuk po shkon asgjë mirë këtu nga ky koalicion qeverisës, gabimet janë të vazhdueshme, shkeljet janë të vazhdueshme jo vetëm të Kushtetutës por edhe ligjeve tjera në fuqi për çdo ditë pothuajse”, ka thënë Baraliu për FaktePlus.
Me tutje profesori Baraliu shton se veprimet nuk duhet të merren nga ekipi për shkak se nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim që projektligji që rregullon funksionimin e ekipit dhe trupave të saj të cilësohet si antikushtetues, atëherë të gjitha ato vendime të ekipit do të bien në ujë.
“Po, nëse e shpall, të gjitha ato veprime, vendime shpallen të pavlefshme. E dyta, ata nga këndvështrimi moral dhe politik, duhet ta shohin se janë të papranuar, nga brenda jo, përveç ata që i kanë emëruar vet, një grup i ngushtë dhe nga jashtë nga askush. Derisa dihet qartë se ka stagnim në bisedime në Bruksel. Çka bëjnë ata, vetëm shpenzime dhe merren me veten, i punësojnë njerëzit, nepotizmi vazhdon edhe aty dhe deklaron njëri nga deputetët e tyre, se ne nuk mundemi shoferët t’i pranojmë ekspertë, që i fyejnë praktikisht të gjithë inteligjencën edhe politike parlamentare edhe atë intelektuale. Do të thotë ata nuk kanë legjitimitet. Pa legjitimitet edhe ndërkombëtar dhe nuk janë pranuar, nuk ka aktivitet, nuk ka proces, nuk ka dialog për çka janë emëruar. Nuk kanë çka bëjnë përveç që të emërojnë dhe paguajnë ekspertë ndërkombëtarë që kushtojnë sa të gjithë vendorët, dhe nëse bëjnë punë sizifi”, u shpreh Baraliu.
Me 15 mars, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Sipas këtyre dy partive opozitare, ky Projektligj shkel nenin 2 të Kushtetutës, ku flitet për sovranitetin, Nenin 4 të Kushtetutës ku flet për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, Nenin 7 ku flitet për rendin kushtetues të Kosovës, Nenin 18 të Kushtetutës, ku flitet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Nenin 20 të Kushtetutës, ku flitet për bartjen e sovranitetit ose kalimin e kompetencave shtetërore, Nenin 65 të Kushtetutës, ku flitet për kompetencat e Kuvendit të Kosovës, Nenin 93 të Kushtetutës, ku flitet për kompetencat e Qeverisë dhe Nenin 94 të Kushtetutës , ku flitet për kompetencat e kryeministrit.
Ekipin Negociator të Kosovës e kryesojnë dy kryetarët e dy partive më të vogla, Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate dhe Shpend Ahmeti i Partisë Socidaldemokrate.
Ndërsa, anëtarë të këtij ekipi janë edhe Enver Hoxhaj nga PDK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Yagcilar KDTP, Dardan Gashi, si dhe një përfaqësues i shoqërisë civile. Në ekip ka qenë edhe Avni Arifi nga AAK-ja, por ai është emëruar ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe./FaktePlus